Arrestohet vrasësi i Madrit Ulqinakut, nipi i “Mandelës” së Elbasanit

Vihet në pranga autori i vrasjes së Madrit Ulqinakut, ngjarje e ndodhur me 17 gusht në Elbasan. Policia ka arrestuar Horgito Peqinin, 18 vjeç.

U shoqërua edhe një shtetas K.S, 33 vjeç që ishte bashkë me autorin e dyshuar të vrasjes.

Policia po punon për sqarimin e rrethanave duke bashkëpunuar me Prokurorine e Rrethit Gjyqesor Elbasan.

Gjykata e Elbasanit ka caktuar për të riun masën e sigurisë “arrest me burg” në kushtet e mungesës.

Të njëjtën masë sigurie, togat e zeza caktuan edhe për 33 vjeçarin Klaudjan Sallufi, i akuzuar si bashkëpunëtor në krim, që po ashtu është në kërkim.

I vetmi që është përballur me drejtësinë për vrasjen Madrit Ulqinakut është 18 vjeçari Eiden Dimo që po ashtu u la në burg pa afat.

Ai u vu në pranga një ditë pas ngjarjes, ku pretendon se ndërhyri për të shuar sherrin, por pas krimit u arratis bashkë me dy miqtë, ndërsa policia i gjeti edhe një thikë dhe një dorezë metalike.

Në seancë, mësohet se Dimo ka treguar të njëjtin version për ngjarjen ashtu si para oficerëve të policisë.

Ai ka deklaruar se bashkë me Horgito Peqinin dhe Klaudjan Sallufin ishin nën efektin e narkotikeve kur kishin dalë në lëvizje në qytetin e Elbasanit.

Në zonën pranë Stadiumit, sipas tij janë përballur me Madrid Ulqinakun dhe një shok të tij, për të cilët pranon se njiheshin.

Sipas Eiden Dimos, ishte Klaudjan Sallufi ai që u konfliktua me 33 vjeçarin të cilit i kanë kërkuar llogari pse po i shihte dhe se përse e bënë pis.

Në debat e sipër, 18 vjeçari Horgito Peqini ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend, Madrit Ulqinakun,  baba i një fëmijë të mitur.

Edhe pse dëshmitë dhe dinamika tregojnë për një konflikt të çastit, grupi hetimor nuk përjashton pistën që vrasja të jetë pasojë e konflikteve të tjera të vjetra, ç’ka forcohet nga dyshimi se viktima dhe autorët ishin të njohur me njëri tjetrin.

Horgito Peqini, rezulton se është nipi i Eduart Peqinit, i njohur edhe si “Mandela” i Elbasanit, që vuan dënim me burgim të përjetshëm për shkak të krimeve gjatë vitit 1997.