Vrasja e Ulqinakut në Elbasan, autori është nipi i Eduard Peqinit, “Mandelës” së qytetit
Horgito Peqini, 18-vjeçari që ekzekutoi me armë zjarri 33-vjeçarin Madrid Ulqinakun, rezulton të jetë nipi i Eduard Peqinit, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm dhe në Elbasan njihet ndryshe me nofkën “Mandela”.
Eduard Peqini së bashku me vëllain e tij, në Elbasan drejtonte një nga bandat më të rrezikshme në periudhën e viteve 1997 deri në 1999, duke pasur përplasje të vazhdueshme me grupin e Dritan Kateshit.
Nipi i “Mandelës”, Horgito Peqini së bashku me Klaudjan Sallufi, vijojnë të jenë në kërkim nga policia e qytetit të Elbasanit, ndërsa akuzat për 18-vjeçarin Peqini janë ngritur për “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve”.
I riu Madrid Ulqinaku, u godit me disa plumba, duke mbetur i vdekur në vend, ndërsa autori Peqini që bashku me shokun e tij Sallufi, u largua me shpejtësi.
E gjithë ngjarja ka ndodhur për shkaqet e një konflikti të çasti. Ndërsa policia e Elbasanit thotë jo zyrtarisht se viktima dhe autori, njiheshin si shpërndarës droge në qytet.
Ulqinaku ishte baba i një fëmije të mitur, ndërsa më parë kishte humbur vëllain në një ngjarje kriminale.
