Shkodra shpëton nga plehrat/ Zgjidhje provizore për krizën e pastrimit të qytetit
Pas 2 ditëve nën pushtetin e mbetjeve urbane, Shkodra u pastrua këtë të enjte. Bashkia gjeti një zgjidhje provizore për krizën e shkaktuar nga përfundimi i kontratës së pastrimit.
Merr fund kaosi me pastrimin e mbetjeve urbane në Bashkinë Shkodër.
Ndërhyrja gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të së enjtes me 8 mjete pastrimi dhe 4 fadroma, ka bërë që kryeqendra e veriut t’i kthehet normalitetit, duke “zhdukur” pamjet me pirgje mbetjesh që kishin pushtuar rrugët dhe lagjet.
Gjithçka u arrit falë marrëveshjes që Bashkia gjeti me firmën kontraktore, e cila do të operojë deri në shpalljen e fituesit të tenderit të hapur për ofrimin e këtij shërbimi.
“Na thirrën sot përsëri që të vazhdojmë punën, të rikthejmë situatën në normalitet. Punëtorët janë të gjithë në punë. Po punohet me kapacitete maksimale. Besoj se do të vazhdojmë të punojmë”- tha Henri Faci, përgjegjës i kompanisë së pastrimit.
Tonelata të tëra mbeturinash që u larguan nga qyteti, u dërgua në landfildin e Bushatit, ndërsa paralelisht firma kontraktore ka bërë edhe dezinfektimin e hapësirës përreth kontejnerëve të mbetjeve.
“Një ditë me nejt mbushet trefish. Është popullsi e madhe”
Pritet që brenda pak javësh të mësohet emri i kompanisë fituese të tenderit të pastrimit, që sipas Bashkisë Shkodër do të rrisë cilësinë e shërbimit dhe kriteret e ndërhyrjes në terren.
