“Çunat e Londrës” drejt Shqipërisë, nisin të testojnë kanabisin me efekte si heroina

Një hetim i nisur kryesisht nga Prokuroria e Tiranës ka zbuluar një rrjet trafikimi të lëndës narkotike nëpërmjet postës nga Londra në Shqipëri. Dy persona janë arrestuar si pasi dyshohet se kanë porositur sasi kanabisi që mbërriti nëpërmjet pakove. Por më tej u ngritën dyshimet se trafikantët po testojnë llojin e ri të lëndës narkotike që ka efekte si të heroinës.

Trafikantët shqiptarë në Londër po quajnë si treg te ezaruar Anglinë për drogën e kultivuar në shtëpitë e barit dhe po testojnë territorin shqiptar, por dhe te vendeve të tjera të Ballkanit dhe Europës për ta prodhuar dhe shpërndarë lëndën narkotike.

Kanabisi i kultivuar në banesat e Anglisë  po futet ne vendin tonë në sasi të vogla, duke përdor edhe postën, dhe kjo për të testuar te konsumatorët cilësinë, e cila sipas eksperteve është e afërt me efektet që jep heroina.

Ky test ka për qëllim që të zhvendosë industrinë ilegale të prodhimit të kanabisit në Shqipëri por edhe në zonat e tjera të Ballkanit Përendimor apo Bashkimit Evropian. 

Skema duket se është zbuluar nga një informacion i marrë në rrugë operative, çka ka bërë që Prokuroria e Tiranës, të nisë hetimet kryesisht në lidhje me një rast trafikimi ku u prangosën dy porositësit D.Shehu dhe M. Vata, 18-vjeçarë.

Operacioni i Policisë u drejtua nga prokurori Bledar Valikaj ku rezultoi se lënda narkotike ishte nisur prej Anglisë me postë fillimisht drejt Tiranës, e më pas në dërgesën fundore në Durrës.

Droga e ndarë në dy pako dje, me pesë qese me peshë 340 gramë u sekuestrua kur një nga të rinjtë po udhëtonte me taksi.

Por ajo çka rezultoi më tej ishte edhe zbardhja e skemës ku po kërkohet që kanabisi i prodhuar në shtëpitë e Londrës të gjejë bazë edhe në vendin tonë.

Tashmë mësohet se në bashkëpunim me autoritetet angleze po punohet për ndalimin e trafikantëve për të parandaluar kështu futjen e një tjetër lloji të kanabisit në Shqipëri.

Njoftimi i prokurorisë për operacionin

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë finalizoi me sukses operacionin për sekuestrimin e një sasie lënde narkotike të dërguar nga Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe me destinacion tregun shqiptar dhe arrestimin në flagrancë për veprën penale “Trafikim i Narkotikëve” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 283/a/2, i Kodit Penal, të dy personave.

Njësia Hetimore për Narkotiket dhe Trafiqet në Departamentin për Policinë Kriminale, është njoftuar më datë 15.08.2022 nga shërbimet e Postës Shqiptare, Filiali Qendra Tranzite (KOLIPOSTA) me seli ne Vorë, Tiranë, mbi dy pako të dyshimta ardhur nga Mbretëria e Bashkuar, me dërgues shtetasin A. A., Londër, me adresë marrësi shtetasin Shqiptar A.C., me adresë Durrës dhe pako tjetër me adresë marrësi shtetasin shqiptar A. B., po me adresë Durrës. Nga skanimi i këtyre pakove u konstatuan elementë të dyshimtë me erë dhe karakteristikë si ajo e lëndës narkotike e dyshuar Cannabis Sativa.

Në vijim të veprimeve hetimore nën Drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe me përdorimin e metodave speciale të hetimit; si dorëzim i kontrolluar, vëzhgimet dhe gjurmimet në terren, u realizua me sukses operacioni për dorëzimin e kontrolluar dhe arrestimin e personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë e mundur sekuestrimi i një sasie lënde narkotike dhe në vijim arrestimi në flagrancë për veprën penale “Trafikim i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/a/2, i Kodit Penal, i shtetasve:

1. D. Sh.,18-vjec, lindur dhe banues në Tiranë

2. M. V., 18-vjec, lindur dhe banues Tiranë.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë me datë 17.08.2022, në vendin e quajtur “Rreth Rrotullimi” në Plepa Durrës. Shtetasit D. Sh., iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy pako me peshë 336 gramë lëndë narkotike dyshuar Cannabis Sativa.

Nga hetimet ka rezultuar se këto dy pako kanë ardhur nga Mbretëria e Bashkuar me postë dhe më pas nga Tirana kanë shkuar në Durrës, në filialin e postës në lagjen nr. 13, për tu tërhequr nga personat e interesuar.

Porositësi i kësaj lënde narkotike është shtetasi  M.V., me banim në Tiranë, i cili për të tërhequr pakot në Durrës dhe për t’i sjellë në Tiranë, ka dërguar shtetasin D. Sh.

Nga Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe nga Njësia për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve do të vijojë veprimtaria hetimore për verifikimin nëse ka pasur raste të tjera dhe identifikimin e personave të implikuar në këtë aktivitet të paligjshëm.

Nga ana e prokurorisë, u vijua me kërkesat për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masave të sigurisë arrest me burg ndaj personave të arrestuar për veprën penale të “Trafikim i Narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 283/a/2 të Kodit Penal.