Mitralozë, antitank dhe granata dore, zbulohet depoja e armëve në Yrshek të Tiranës
Mitraloza, antitank, granata dhe sasi të mëdha armatimi e municioni u sekuestruan nga policia në një magazinë në Kodër Mëzez në periferi të Tiranës gjatë një operacioni pasditen e të enjtes. Në pranga ra 62-vjeçari që dispononte magazinën, ndërsa në kërkim u shpall edhe djali i tij. Arsenali i armëve po i nënshtrohet ekspertizave për të parë nëse ka lidhje me ngjarje kriminale të ndodhura në vend.
Një arsenal armësh u sekuestrua nga policia e Tiranës gjatë një operacioni të zhvilluar pasditen e të enjtes në periferi të kryeqytetit.
Gjatë kontrolleve në një magazinë në Kodër-Mëzez, janë sekuestruar mes të tjerash edhe 2 granata hedhesë të lehtë kundratank, 2 mitraloza të lehtë, një snajper me dylbi, 2 silenciatorë, granata dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak, tri automjete, një paruke dhe 2 fenelina policie.
Policia bëri të ditur se ka arrestuar shtetasin Kujtim Çaushi ndërsa djali i tij Erlind Çaushi është shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar me emrin "Arsenali”.
Policia bëri të ditur se 62-vjeçari Kujtim Çaushi akuzohet për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Ndërkohë e njëjta akuzë është ngritur edhe për djalin e tij të shpallur në kërkim me dyshimet se ka qenë në dijeni dhe pjesëmarrës në aktivitetin kriminal.
Policia dyshon se magazinë në fjalë përdorej për grumbullimin e armëve dhe municioneve me qëllim shitjen e tyre në tregun ilegal ku nuk përjashtohen edhe grupet kriminale.
Për këtë arsye të gjitha armët e sekuestruara janë dërguar në drejtorinë e policisë së Tiranës ku po i nënshtrohen analizave kriminalistike për të saktësuar nëse janë përdorur në ngjarje të mëparshme.
Ky është rasti i tretë brenda gjashtë muajve kur në afërsi të kryeqytetit zbulohen magazina apo depo me armë pasi më herët forcat e policisë kanë ndërhyrë në një punishte në zonën e Yrshekut dhe në një garazh tek liqeni Artificial duke sekuestruar sasi të mëdha municioni dhe armatimesh.




