"Vrasësit me pagesë janë bërë modë!"Gazetari: Kur s’funksionon policia, Gjykata e Prokuroria, palët kalojnë te vetëgjyqësia
Gazetari Elton Qyno ka komentuar tre ngjarjet tragjike të ndodhura në 24 orët e fundit në vendin tonë, ku mbetën të vdekur tre persona.
Në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Kostana Morava, Qyno tha se policia nuk mund të parandalojë krimet që kriminelët kanë planifikuar.
Më tej ai tha se përsa kohë, policia, gjykata e prokuroria, nuk funksionon si duhet, palët do vendosin vetëgjyqësi vetë.
Elton Qyno: Nuk mundet që policia të parandalojë çdo krim që vetë kriminelët e kanë në mendjen e tyre. Ka pasur shumë raste që individë të caktuar janë arrestuar dhe më pas janë liruar nga Gjykata e Prokuroria. Në kushtet kur trinomi Polici, Prokurori Gjykatë nuk funksionon në mënyrë të koordinuar padyshim që palët e dëmtuara në këtë rast apo në rastet e tjera do të shfryhen diku.
Ai tha më tej se vrasësit me pagesë janë bërë modë në vendin tonë.
Elton Qyno: Dhe dalëngadalë palët kalojnë te vetëgjyqësia siç është rasti i sotëm, që fillojnë e projektojnë një vetëgjyqësi, jo nga dora jote mbase, ti je financuesi, por me vrasës me pagesë që në Shqipëri është bërë modë.
Ne sot kemi arritur deri në atë fazë që në Shqipëri të vret dhe një fëmijë, siç shte rasti i Lezhës.
