Hetimet për babain e Florenc Çapjes, makina që dyshohet se do përdorej në vrasje, e vjedhur në Kavajë
Automjeti që dyshohet se ishte përgatitur për tu përdorur në vrasje, për të cilin u shpall në kërkim një ditë më parë babai i Florenc Çapjes, rezulton të jetë vjedhur në Kavajë. Automjeti po i nënshtrohet ekzaminimeve kriminalistike ndërkohë që policia po përpiqet të lokalizojë vend-ndodhjen e Fejzulla Çapjes ndaj të cilit janë ngritur tashmë tri akuza.
Kjo është makina tip “Alfa Romeo”, e cila u gjet dhe sekuestrua nga policia e Elbasanit, në servisin e Fejzulla Çapjes, babait të Florenc Çapjes.
Automjeti ngjyrë e zezë me dy dyer, dyshohet se do përdorej për vrasje pasi ishte vjedhur në Kavajë, pikërisht në zonën e vendbanimit të Nuredin Dumanit, bashkëpunëtorit të SPAK, që u ka treguar prokurorëve një marrëveshje bashkëpunimi mes Çapjave, për të vrarë Sokol Sanxhaktarin.
Makina besohet se ka qëndruar prej më shumë se 1 vit e gjysëm në atë servis, dhe dyshohet se mund ti përkiste edhe Bledar Muçës, personit të vrarë në Belgjikë.
Të paktën një version të tillë kanë dhënë pronarët e servisit gjatë marrjes në pyetje në polici.
Mjeti rezulton e vjedhur në 18 prill 2019. Në brendësi të makinës u gjendën dhe dy targa të vjedhura në 29 qershor 2019 në Elbasan, një plumb automatiku, dhe në rrethimin e servisit në disa shkure u gjet edhe një kapele si ato të Policisë së Shtetit.
Makina po mbahet e bllokuar në policinë e Elbasanit me qëllim ekzaminimin e gjurmëve të gishtave dhe provave të tjera shkencore.

Për këtë ngjarje policia ka shpallur në kërkim, babain e Florenc Çapjes, Fejzulla Çapjen për akuzën e "Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve”, "Mbajtja pa të drejtë e uniformës të Policisë së Shtetit" dhe "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje".
Ndërsa Florenc Çapja, vijon të jetë në kërkim dhe qëndron në Dubai, pasi ndaj tij SPAK ka lëshuar dy masa sigurimi “arrest në burg”, për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit dhe planifikimin e vrasjes së Sokol Sanxhaktarit.
Servisi aktualisht është pronë e familjes së Fejzulla Çapjes, babait të Florenc Çapjes. Më parë kjo pronë i përkiste Bledar Muçës, i vrarë në muajin janar 2022 në qytetin Antverp të Belgjikës.
Muça e përdorte si servis dhe parkim për shitjen e automjeteve. Ndërsa mësohet se 8 muaj më parë, përpara se ai të vritej, ja kishte dhuruar këtë prone babait të Florenc Çapjes, i cili ja kishte lënë këtë biznes me qira pa kontratë një personi tjetër, që në Elbasan thiret me emrin “Rori”.
Ky i fundit e ka përdorur pronën vetëm pak muaj dhe më pas është larguar duke zhvendosur biznesin e tij në një hapësirë tjetër në Elbasan ku policia ka kryer kontroll por nuk ka gjetur asgjë të paligjshme.

