Katër viktima në 24 orë, Blushi: Krimi ka shtetin e vet, përgjegjës Edi Rama, Ministria e Brendshme e Policia

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar për vrasjet tragjike në vend, ku brenda 24 orëve, kanë humbur jetën 4 persona.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Blushi thotë se mungesa e autoritetit të shtetit dhe vigjilencës për të parandaluar dhe goditur krimin përpara se ai të marrë jetët e qytetarëve është një akuzë e fortë për Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Më tej ai shkruan se përgjegjës që krimi ka dalë nga nëntoka është Edi Rama.

Postimi i plotë:

NUK KA SHTET! KA VETËM KRIM QË KA SHTETIN E VET!

Katër viktima në më pak se 24 orë është bilanci tragjik i revanshit të krimit dhe pasigurisë së jetës në mbarë vendin.

Mungesa e autoritetit të shtetit dhe vigjilencës për të parandaluar dhe goditur krimin përpara se ai të marrë jetët e qytetarëve është një akuzë e fortë për Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit.

Të kontrollosh jetën private, "deri edhe mendimet" e qytetarëve nëpërmjet patronazhistëve, por të dështosh me institucionet e ngarkuara me ligj në parandalimin e vrasjeve dhe moskapjen e autorëve të tyre do të thotë se kjo Qeveri është në aleancë me krimin, mburojë dhe frymëzuese e tij.

Një Kryeministër që 10 vite në pushtet promovoi krimin dhe trafikun e drogës me ministra në Qeveri, deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë në administratë është tregues se në Shqipëri krimi e ka kapur për fyti shtetin.

Është Rama përgjegjës që krimi nga nëntoka, ka dalë në publik dhe demonstron forcën para qytetarëve, duke u marrë deri dhe jetën.