U sekuestruan rreth 1 ton marijuanë, reagon Çuçi: Dëshmi e forcës goditëse kundër krimit të organizuar
Ministri i Punëve të Brendshme Bledi Çuçi ka reaguar pas finalizimit të operacionit ditën e sotme (8 gusht 2022) ku u sekuestruan rreth 1 ton marijuanë.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook Çuçi shprehet se kjo është dëshmi domethënëse e profesionalizmit dhe forcës goditëse pa asnjë kompromis kundër krimit të organizuar.
Ai gjithashtu ka falënderuar oficerët shqiptar e italian të cilët ishin pjesë e operacionit.
Postimi i plotë:
"Operacioni i sotëm ndërkombëtar në Vlorë mes Policisë së Shtetit dhe Guardia Di Finanza për goditjen e një grupi të trafikut të drogës me mjete lundruese dhe sekuestrimin e një rreth 1 ton marijuanë, është një tjetër dëshmi domethënëse e profesionalizmit dhe forcës goditëse pa asnjë kompromis kundër krimit të organizuar. Përgëzime të gjithë oficerëve shqiptarë e italianë që morën pjesë në këtë operacion të mirëkoordinuar nga ajri, deti dhe toka. Qëndrojmë frontalisht të vendosur për të vijuar luftën e vazhdueshme me të keqen, me bindjen se vetëm në këtë mënyrë krijojmë siguri për shoqërinë dhe garantojmë të ardhmen tonë."
Një sasi rreth 1 ton lëndë e dyshuar narkotike marijuana, - saktësisht 992 kg – u sekuestrua gjatë një megaoperacioni ndërkombëtar të koduar “Syri” ku u angazhua policia shqiptare dhe Guardia di Financa italiane. Në pranga kanë rënë 3 shtetas vlonjatë dhe dy shtetas ukrainas ndërsa në kërkim është shpallur një shtetas vlonjat.
Droga nga brigjet shqiptare u transportua me 3 skafe në thellësi të detit Jon ku dhe më pas u ngarkua në një anije velierë në të cilin udhëtonin dy ukrainasit.
