Meta kujton eksodin e 20 mijë shqiptarëve në bordin e anijes 'Vlora': E dhimbshme, edhe pas 31 vitesh eksodi vijon ende
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka kujtuar sot 31 vjetorin e largimit të rreth 20 mijë shqiptarëve me anijen "Vlora" drejt Italisë.
Sipas tij edhe pse kanë kaluar tashmë 31 vite, eksodi i shqiptarëve vazhdon ende. Ai nuk lë pa përmendur edhe të dhënat se rreth 40% e emigranëve që kalojnë kanalin e La Manshit ilegalisht janë shqiptarë.
"Pas 31 viteve nga këto pamje tronditëse dhe emocionuese të 8 gushtit 1991, kur rreth 20 mijë shqiptarë në bordin e anijes "Vlora" nisën udhëtimin drejt lirisë, për një jetë të re dhe një të ardhme më të mirë, eksodi i shqiptarëve vijon dhimbshëm.
Edhe sot, 40 përqind e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë La Manshin, duke rrezikuar jetën e tyre, janë shqiptarë.
Që drama e madhe e shpopullimit të marrë fund dhe shqiptarët të ankorojnë shpresën në Atdheun e tyre, duhet ndëshkuar kapja e shtetit, modeli korruptiv dhe kriminal që lë në varfëri shumicën e qytetarëve, për të pasuruar një pakicë.
Europa do ndërtohet në Shqipëri kur sovrani të marrë në dorë fatet e veta!
REFERENDUMI, kryefjala e angazhimit madhor të Partisë së Lirisë," shkruan ai.