Zjarret në vend/ Tetë vatra vijojnë të jenë aktive, situata më kritike në Mirditë
Temperaturat e larta në vendin tonë kanë bërë që aktive të jenë shumë vatra zjarri, disa prej të cilave kanë rrezikuar dhe shtëpitë pranë tyre.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ne AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 26 vatra zjarri.
Aktualisht janë aktive vatrat në:
1. Në fshatin Gjysulkanë, bashkia Tiranë, ku ka rënë një zjarr masiv në zonën pyjore të këtij fshati i cili rrezikoi edhe banesat. Janë angazhuar në shuarjen e vatrave forcat e Bashkisë Tiranë të mbështetura nga Forcat e Armatosura dhe banorë të zonës.
2. Vazhdon të jetë aktiv zjarri në vendin e quajtur “Bjeshka e Bregut”, fshati Ura e Shtrenjtë dhe fshati Vilëz, njësia administrative Postribë, bashkia Shkodër, janë angazhuar për shuarjen e kësaj forcat zjarrfikëse, 60 efektive te Forcat e Armatosura dhe banorë të zonës.
3. Në vendin e quajtur Mali i Tolës në fshatin Lam i Madh, bashkia Mat, vijon puna për izolimin dhe shuarjen e zjarrit. Janë angazhuar forcat në nivel vendor, punonjës të shërbimit pyjor 30 efektive nga FA .
4. Bashkia Durrës, në fshatin Shetaj, ka vazhduar puna në terren për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.
5. Në fshatin Zezë, bashkia Krujë, është punuar për izolimin dhe shuarjen e zjarrit të rënë mbrëmjen e djeshme në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra ku janë rrezikuar dhe banesa. Janë aktivizuar forcat zjarrfikëse të bashkisë Krujë, Kamëz, Tiranë dhe Vorë të mbështetur me 2 zjarrfikëse të FA.
6. Në fshatin Mal Bardhë, bashkia Kurbin, për vënien nën kontroll dhe shuarjen e zjarri janë aktivizuar forcat zjarrfikëse, forca nga pushteti vendor, 50 efektivë të FA të mbështetura dhe nga helikopteri i FA. Operacioni ka filluar në orët e para të mëngjesit.
7. Në fshatin Shpërdhezë, bashkia Mirditë, në harkun kohor prej një ore janë aktivizuar mbi 10 vatra zjarri duke filluar nga fshati Shpërdhezë dhe në drejtim të fshatit Bukmirë. Zjarri ka përfshirë sipërfaqe me vreshta dhe pyll lisi.
Janë aktivizuar forcat zjarrfikëse të bashkisë Mirditë, bashkia Lezhë dhe 4 zjarrfikëse të FA, forcat të pushtetit vendor të mbështetur nga ajri me helikopterin e FA. U arrit të mbrohet fshati Shpërrdhezë. Zjarri konsiderohet i qëllimshëm, banorët kanë bërë denoncim pranë Komisariatit të Policisë të bashkisë Mirditë.
8. Në fshatin Kusarth, bashkia Elbasan, ka rënë zjarr në një sipërfaqe kodre me ullishte. Janë aktivizuar për vënien nën kontroll të zjarrit forcat zjarrfikëse të bashkisë Elbasan, Peqin, Cërrik, Belsh, forca nga pushteti vendor dhe vullnetarë. Operacioni vijon me mbështetjen e 30 efektiveve të FA për shuarjen përfundimtare.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 26 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 16 prej tyre.
