"Kush jep lekë punon", pronarët e mjeteve lundruese në Dhërmi protestojnë kundër bllokimit dhe paralajmërojnë padi penale
Pasditen e kësaj të diele kanë dalë në protestë pronarët mjeteve lundruese në Dhërmi.
Prej ditësh ata nuk lejohen më të dalin në det, që pas tragjedisë së Potamit ku humbi jetën vajza 7-vjeçare që u godit nga skafi i efektivit të policisë Arjan Tase.
Pronarët e mjeteve shprehen se policia kufitare po bën selektime duke lejuar lundrimin e disa skafeve.
Ata pretendojnë se lundrimi po bllokohet pa arsye. Dokumentet origjinale u janë marrë nga policia kufitare dhe u kanë thënë se do ti verifikojnë.
"Mjetet e një biznesi privat që dhe molin dhe korridorin e ka burim aksidenti në mënyë të paligjshme lejohet të punojë. Ndoshta janë me licenca. Ne i kemi të gjitha të kopsitura, kemi pësuar dhe dëmtim mjetesh dhe nuk mban njeri përgjegjësi. As 100 metra më tutje nga këtu punohet. Kush jep lekë punon."
"Na i kanë marrë mjetet në mënyrë hajdutshe, i kanë tërhequr, shqyer. Kanë bërë çfarë u ka dashur qejfi në mënyrë të paligjshme. Na i kanë prishur mjetet, na kanë vjedhur sende personale. Të hënën do hapim një padi penale, i ke me prova. Po bëjnë zgjedhje selektive."
Dy ditë më parë në një aksion në Dhërmi në bllokimin e mjeteve lundruese ishte vetë drejtori i policisë Gledis Nano që ka kontrolluar personalisht dokumentacionin. Dhe pse të rregullta ai ka kërkuar bllokimin e mjeteve.
Edhe këtë të dielë Nano ishte në jug ndërsa apeloi vartësit që të mos rrezikojnë jetën e qytetarëve me neglizhencën e tyre.
