"Himara, një tragjedi e pafjalë", Andoni: Protestat duhet të vazhdojnë, por s'do doja kurrë që politika të fusë duart
Analisti, Ben Andoni, e sheh tragjedinë e Himarës ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia një ngjarje tepër të rëndë dhe të pafjalë.
Në një intervistë për Ora News me gazetaren Siklajda Shorja ai thotë se mirëkupton dhe reagimin qytetar , ndërsa masat e autoriteteve i sheh tepër të vonuara.
Andoni: Ngjarja është vërtet tragjike ndërkohë që reagimi qytetar është i arsyeshëm, duhet të jetë i vazhdueshëm. Problemi i vetëm është që në momente të tilla të shpërthimeve të tilla të protestës që me të drejtë kërkohet një reagim më i plotë nga autoritetet shtetërore dhe sidomos masat e marra para sezonit. Me ato që po shikojmë masat lënë jashtëzakonisht për të dëshiruar, nuk duhet të bëhej tani ashpërsimi i jashtëzakonshëm i policisë ndaj mjeteve lundruese, duhej bërë me kohë.
Por ndërsa mirëkupton reagimin qytetar pas ngjarjes nuk e gjen me vend përfshirjen e politikës që në gjykimin e tij po e shfrytëzon këtë tragjedi për politikë të ditës.
Andoni: Problemi i vetëm është mënyra si politika mundohet të futet te protestat e qytetarëve. Momentin që politika futet nga të dy krahët siç ndodhi me studentët, siç ndodh vazhdimisht me shoqërinë civile ato bjerren dhe tragjedia pastaj thjesht shënohet për të pritur tragjedinë e ardhshme. Kemi një reagim të shtetit, largimi model i gjithë rrjetit drejtues të policisë.
Por publiku duhet të mësohet të protestojë dhe një pjesë e njerëzve nuk duhet ta përdorin, sidomos tragjedinë, ta përdorin për politikë. Më vjen keq të them që edhe në këtë rast tragjedia po shfrytëzohet dhe ju e patë që në momentin që u duk Berisha dhe Meta gjithë vëmendja u zhvendos drejt atyre dhe pak a shumë tragjedia u përfshi vetëm te pjesa e dorëheqjes së ministrave dhe të tjerëve.
Sipas tij kjo ngjarje e rëndë, por edhe të tjera, duhet të sjellin një reflektim te opinioni për të kuptuar rëndësinë e votës së tyre.
Andoni: Tragjedia ka nxjerrë një pjesë të problemeve tona. Por shqiptarët duhet të kuptojnë që vota e tyre në momentin e votimit është ajo që vendos për fatin e tyre ndërsa protesta i mëson që publiku duhet të shprehë qëndrimin e tij dhe mosmirëkuptimin me atë që po bën kjo qeveri dhe ingranazhet e saj.
Në sytë e analistit, ky sezon veror është zhgënjyes jo thjesht për çmimet e larta por dhe masat e marra nga autoritetet për sigurinë, dhe një tragjedi e tillë si Himara është e pafjalë.
Ai nxit mbajtjen e protestave, të cilat duhet të vazhdojnë sipas tij, por nënvizon se nuk do të donte kurrë që politika të fusë duart në to.
