Nuk i ndali as tragjedia e Himarës, mjetet lundruese nuk respektojnë zonën e kufizuar në Potam të Himarës

Pavarësisht tragjedisë të ndodhur vetëm më 2 gusht 2022, ku Jonada Avdia, vogëlushja 7-vjeçare u godit për vdekje nga skafi i drejtuar nga efektivi i policisë, Arjan Tase, mjetet lundruese vijojnë mos respektojnë zonën e kufizuar.

Një mjet tip gomone nuk respektoi zonën e kufizuar për mjetet lundruese, në plazhin e Potamit, Himarë.

Pamjet janë publikuar dhe në rrjetet sociale. 

Sakaq policia ka identifikuar pronarin e mjetit dhe e ka gjobitur si dhe i ka sekuestruar mjetin.

“Pronari i mjetit tip gomone, shtetasi V. P., 50 vjeç me të cilin po transportoheshin pasagjerë, në një zonë të kufizuar për mjetet lundruese, në plazhin e Potamit, Himarë , u ndëshkua me masë administrative 100.000 lekë të rinj, dhe u bë bllokimi i këtij mjeti, në portin e Himarës”, njofton policia.

Gjithashtu, në vijim të kontrollove, në Himarë, u bë bllokimi dhe i 2 mjeteve të tjera lundruese “Jet ski”, në pronësi të shtetasit F. B., me qëllim kontrollin për dokumentacion, si dhe për verifikim nga Seksioni i Trafiqeve në DVP Vlorë.

Policia Kufitare, në bashkëpunim me strukturat e DVP Vlorë, do të vijojë kontrollet dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie.