Zjarr me përmasa të mëdha në Mirditë, rrezikohen banesat. Aktive vatrat dhe në Klos, Durrës, Kurbin dhe Shkodër
Zjarri i përmasave të mëdha në Bukmirë të Mirditës rrezikoi të dielën banesa e vreshta rrushi.
Flakët të ndihmuara nga era shkrumbuan dhjetra hektarë me bimësi.
Autoritetet shtetërore njoftuan se në 24 orët e fundit u shfaqën 23 vatra zjarri.
Situata paraqitet më problematike në Malësinë e Kurbinit, ku pyjet vijojnë të digjen prej të paktën 1 jave.
Një zjarr i rënë në zonën e Skurajve është përhapur me shpejtësi në disa drejtime dhe shpesh herë, duke vënë në rrezik dhe zonën e banuar.
Flakët kanë shkrumbuar dhjetra hektare pyje, ndërsa ndërhyrja nga toka ka qenë e pamundur për shkak të terrenit të vështire malor.
Banorët e zonës thonë se situata është mjaft problematike, duke akuzuar autoritetet për mungesë vëmendje dhe angazhim të dobët për të shuar zjarrin.
"Erdha sot dhe nuk kam parë asnjë zjarrëfikëse në lëvizje. Erdha për të marrë familjen këtu, fëmijët… se e pashë në televizor dhe erdha direkt për t'i marrë," thotë një qytetar.
Përveç tyre aktive mbeten edhe vatrat në Klos, në vendin e quajtur Skarreth Ekonomia pyjore Linos-Guri i Bardhë, Durrës, në fshatin Shetaj, në Kurbin, në fshatin Mal Bardhë dhe në Shkodër në vendin e quajtur Bjeshka e Bregut.
Në operacion për shuarjen e vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 327 forca Operacionale.


