Sotiraq Filo “nuk shkon” në fshat, Ravoniku pa asnjë investim, banorët: Bashkia nuk na përgjigjet

Në zonat rurale të Shqipërisë investimet vijojnë të jenë të mangëta. Si qeveria edhe bashkitë janë përqendruar kryesisht në qendrat e qyteteve, ndërsa në fshatra nuk kanë as rrugë, e as ujë. Banorët e fshatit Ravonik në Korçë vuajnë mungesën e një sërë shërbimesh, ndërsa thonë se bashkia nuk u përgjigjet thirrjeve të tyre për investime.

Rruga që të çon drejt fshatit Ravonik të Korçës, prej vitesh është kthyer në një shqetësim real për banorët.

Verës pluhuri e gropat, e dimrit balta e uji, e bëjnë këtë aks pothuajse të pakalueshëm.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Ka 4 vjet që thonë do ta bëjmë sot, do ta bëjmë nesër, jemi tre shtëpi që kalojmë nëpër bar.

Ato shtrojnë 30 m këtu, 20 m atje hedh pak zhavorr edhe në fund shiko si e kanë lënë," thonë banorët.

Kanalizimet e ujrave të zeza janë një tjetër problematikë e banorëve.

"Fshati ka problem këto kanalizimet, nuk janë bërë të rregullta. Ka plehra ka bagëti… vijnë votimet thonë do bëjmë këtë, do bëjmë atë dhe nuk bëjnë asgjë.

Taksën ia kam paguar, dua të më bëjnë shërbimin," thonë ata.

Ndërkohë fermerët thonë se janë të falimentuar jo vetëm nga rritja ekstreme e imputeve bujqësore por edhe mungesës së ujit për vaditje.

"Një herë vjen, njëherë s'vjen. E presin lart, nuk vaditim dot Mirë është që të bëhen disa investime. Unë dhe disa të tjerë kemi paguar për kanalizimet atëherë. Ikën ato para. Nuk di nga i çoi firma. Në vit nuk e di a vjen dy herë apo jo.

Kemi probleme me ujin për vaditje. Shumë problem," thonë ata.

Sipas banorëve edhe pse janë taksapagues të rregullt, duket se në fshat bëhen investime minimaliste vetëm në raste fushatash elektorale, ndërsa bashkia e drejtuar nga Sotiraq Filo nuk u përgjigjet thirrjeve të tyre për investime.