Skadimi i ultimatumit 72 orësh/ Tjetër protestë sot për Jonadën: Shkarkoni Çuçin, Kumbaron dhe Nanon!
Në përfundim të afatit prej 72 orësh për dorëheqjen apo shkarkimin e ministrave Blendi Çuçi, Mirela Kumbaro dhe drejtorit të pëgjithshëm të policisë, Gledis Nano të hënën 8 gushtit është thirrur një tjetër protestë.
Mbrëmjen e së enjtes mijëra qytetarë u bashkuan në protestë në formë revolte për atë çfarë ndodhi në Potam të Himarës, ku një 7-vjeçare u vra nga skafi që drejtohej nga komisari Arjan Tase. Incidenti ndodhi në një zone të ndaluar për mjetet lundruese.
Në protestën e së 4 gusht 2022 u kërkua largimi i ministrave Blendi Çuçi, Mirela Kumbaro dhe drejtorit të pëgjithshëm të policisë, Gledis Nano, vartësit e të cilëve nëse do të kishin zbatuar me korrektësi ligjin, ngjarja e Potamës mund të ishte evituar.
Prej fillimit të sezonit turistik kanë ndodhur disa incidente me mjetet lundruese të cilët lëvizin në zonat e përcaktuara për pushuesit.
Por pavarësisht këtyre ngjarjeve, dhe denoncimeve të herëpashershme në media, u desh tragjedia e 2 gushtit 2022 që shteti të ndërhyjë dhe asnjë mjet lundrues të mos duket në zonat e përcaktuara për plazh.
Ashtu si protesta e 4 gushtit, edhe ajo që do të zhvillohet ditën e hënë do të mbështetet sërish nga opozita. Vetë kreu i Partisë Demokratike ka postuar në rrjetet sociale njoftimin për protestën, duke deklaruar mbështetje të plotë.
(Lajmi i perditesua)
