Pa bonus dhe pa shtëpi edhe tre vite pas tërmetit, familja Mema në Shëngjergj në rrezik
Edhe pse po bëhen gati tre vite nga tërmeti i 26 nëntorit dhe kryebashkiaku Veliaj tregon në Facebook-un e tij se rindërtimi po shkon drejt fundit, në Shëngjergj ende nuk ka filluar. Familja e Bedri Memës në Shëngjergj ende nuk ka gjetur një zgjidhje edhe pse shtëpia e tyre është e pabanuar.
Në një shtëpi gati një shekullore në fshatin Shëngjergj ose e njohur si "Gropa e katundit" jetojnë 7 anëtarë.
Banesa është e dëmtuar totalisht nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
"Kur i shembi tërmeti, thanë do vijmë sot, do vijmë nesër dhe s'erdhën me i bë. Vijnë dhe i shohin… jo kan dal, jo s'kan dal…" thotë kryefamiljarja.
Ekspertët vlerësuan se shkalla e dëmtimit ishte DS5 ku askush nuk mund të jetojë aty për shkak se rrezikon të shembet.
"Na thanë që ishte e pabanueshme, s'kishte ku të shkonim, as çadër s'kishim. Na thanë që do na e sillnin, por këtu nuk e lë era çadrën. Do rrimë deri kur të nazëri brenda. Shpresa në Zot… po shpëtuam, shpëtuam," tha ajo.
E zonja e shtëpisë thotë se ajo jeton aty pasi nuk ka ku të shkojë tjetër edhe pse rreziku është i madh.
"Me këtë shtëpi kemi jetuar, ku të shkojmë," tha ajo.
Përfaqësues ngaa njësia administrative Shëngjergj kanë shkuar dhe e kanë parë gjendjen, por zgjidhje nuk iu kanë dhënë.
"Ata thonë do bëhet me këto themele që janë, po se kur… kur t'u dali atyre," tha ajo.
Edhe pse shtëpia u shpall e pabanueshme bashkia Tiranë nuk mendoi që tu japë bonus qiraje në mënyrë që të shpërnguleshin diku tjetër.
"Bonus qiraje s'kemi marrë fare," tha ajo.
Frika aty shihet dhe në sytë e të vegjëlve të shtëpisë. Reljoni 10 vjeç kërkon ndihmë.
"Këtu është shumë frikë për të jetuar," tha ai.
Ndihmë kërkojnë të gjithë anëtarët e familjes dhe apelojnë që problem i tyre të zgjidhet sa më parë pasi qëndrimi në këtë shtëpi është i frikshëm.
"Këtë ta shohin të gjithë, bashkia, qeveria se në cfarë rreziku jam unë. Çfarë halli kam…Ku të mbytem unë vetë i shtati," tha ai.
