Mozaiku i Meandrit në Durrës dikur dysheme "luksoze" e antikitetit, sot i mbuluar nga ujërat e zeza

Mozaiku i Meandrit me kryq të thyer në Durrës sot ndodhet në gjendje të mjeruar.

I punuar me teknikën bardhë e zi, ai ishte i vendosur në një banesë antike, si pjesë e dyshemesë luksoze të saj. Ndërtimi i tij i përket shekullit të parë, të erës sonë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Mozaiku  u zbulua në vitin 2005 në Durrës gjatë gërmimeve për ndërtimin e një pallati dhe atë kohë u cilësua zbulimi i shekullit.

Sot Monumenti i Kulturës i Kategorisë së parë gjendet poshtë këtij pallati i pushtuar nga ujërat e zeza.

Ky mozaik i rrallë mbahet larg syve të publikut nga kjo derë e mbyllur me kyç.

"Problemi kryesor që ky monument ka sot, është se prej vitesh ai është i mbuluar nga ujërat e përdoruara të pallatit. Pra si pasojë e tubacioneve që kalojnë aty dhe rrjedhjeve, i gjithë monumenti është i mbuluar nga ujërat.

Problemi kryesor është se megjithëse monumenti ka statusin e kategorisë së parë, situata ëshët e tillë prej disa vitesh," tha Geri Emri.

Gazetari Geri Emri thotë se ka një vendim për zhvendosjen e këtij mozaiku por ende nuk janë marrë masa konkrete.

"Të paktën që nga tetori i 2021 ka një vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale i cili është shprehur se dëshiron ta lëvizë këtë mozaik duke e zhvendosur drejt ambjenteve të Muzeut Arkeologjik Kombëtar Durrës, por ende nuk ka vendime konkrete për ta transferuar mozaikun në një ambjent më të përshtatshëm ku realisht ka një mbrojtje dhe mirëmbajtje për të," tha ai.

Në Durrës janë 6 mozaikë që janë marrë në mbrojtje por shumë të tjerë edhe pse me vlera të ralla mbeten në mëshirë të fatit.