Krah për krah: Protesta për Jonadën e vogël bën bashkë për herë të parë në publik Berishën e Metën
Ka shërbyer protesta qytetare për vrasjen e 7-vjeçares në Potam nga polici Arjan Tase që të bëhen bashkë publikisht Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Kreu i PD-së, Sali Berisha u shpreh se i bashkohej protestës si qytetar, ndërsa tha se është shumë e vështirë që të reflektojë qeveria, prandaj edhe apeloi që të vazhdojë protesta e qytetarëve.
Sali Berisha: Ndodhi një ngjarje nga më tragjiket. Një skafist I qeverisë në një distancë 3-4 metër nga rëra vrau një fëmijë 7-vjeç me helikat e skafit të tij. Ministri, minimum që mund të bëjë është dorëheqja.
Duke e konsideruar një ngjarje të paralajmëruar aksidentin tragjik në Potam të Himarës që i mori jetën vogëlushes 7-vjeçare, Ilir Meta thotë se kjo situatë nuk mund të kalojë pa përgjegjësi.
Sipas tij, ministrja e Turizmit, ministri i Brendshëm dhe kreu i bashkisë Himarë duhet të japin dorëheqjen ose të shkarkohen nga Rama.
Ilir Meta: Zgjidhja është protesta dhe rivendosja e llogaridhëniet në çdo nivel, zgjidhja është dorëheqja e gjithë ministrave përgjegjës dhe kryetarit të bashkisë ku ka ndodhur ngjarja ose shkarkimi i tyre. Besoj se Shqipëria ka nevojë për protesta çdo ditë dhe kudo nga çdo qytetar. Derisa kryeministri dhe qeveria nuk ndalin së vjedhuri çdo ditë.
Të martën e 2 gushtit 2022 në plazhin e Potamit në Himarë, 7-vjeçarja Jonada Avdia humbi jetën pasi u përplas nga skafi i drejtuar nga Arjan Tase, efektiv policie.

