KQZ vendos: Të drejtë vote çdo shqiptar që ka jetuar më shumë se 3 muaj pa ndërprerje jashtë vendit. Kusht, adresa ku banon
Emigrantët do të mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare në vendin ku jetojnë pa qënë nëvojë të kthehen në Shqipëri, por me një kusht që të kenë një adresë vendbanimi. Regjistrimi do të bëhet me kërkesën e tyre nëpërmjet plotësimit të një formulari dhe pas verifikimit biometrik, këta shtetas do të hiqen nga lista e zgjedhësve në territorin e Shqipërise.
Emigrantët që jetojnë jashtë territorrit të Shqipërisë nuk do të duhet të kthehen në vendin tonë për të votuar në zgjedhjet Parlamentare të 2025, pasi KQZ-ja do t’u japë mundësi të votojnë aty ku jetojnë.
Sipas draftit që ky institucion po e konsulton me partitë politike dhe grupet e interesit, këtë të drejtë do ta ketë çdo shtetas shqiptarë që jeton në një shtet tjetër për një periudhë më të gjatë se tre muaj.
"Çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, me vendbanim jashtë territorit për një periudhë më të gjatë se tre muaj pa ndërprerje ose për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj, në një vit kalendarik, në këtë vendim i referuar si “votues nga jashtë”, ka të drejtë të votojë atje ku ai ka vendbanimin e tij, pasi të ketë shprehur vullnetin për të votuar."
Për të shmangur akuzat politike regjistrimi i tyre nuk do të bëhet në portalet qeveritare për në faqen e KQZ-së dhe në një aplikacion të posaçëm që do t’u vihet në dispozicion të gjithë atyre që do të kërkojnë për të votuar nga jashtë.
"Votuesi nga jashtë që kërkon të regjistrohet duhet të plotësojëtë dhënat që i kërkohen në formularin elektronik i cili përmban të dhënat personale, adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë territorit të Shqipërisë, një numër telefoni dhe një adresë emaili. KQZ përfshin në një listë të posaçme të atyre të cilëve ju është pranuar kërkesa në Indeksin e Votuesve nga Jashtë."
Por e gjithë lista e regjistruar do të kalojë sërish në filtrin e KQZ, për të verifikuar të dhënat si dhe kushtin kryesor vendbanimin e përhershëm në shtetin që jeton.
"KQZ vërteton vullnetin e votuesit nga jashtëpër t’u regjistruar, nëpërmjet identifikimit biometrik të tij, ose nëpërmjet një mënyre tjetër me mjete elektronike. Nëse votuesi nga jashtë nuk ka deklaruar vendbanimin e tij ose të dhënat e formularit përkatës elektronik nuk përputhen me ato të Gjendjes Civile, atëherë kërkesa për regjistrim refuzohet. Votuesi të cilit i është refuzuar kërkesa për regjistrim, ka të drejtën të ri-aplikojë."
Por çdo shtetas shqiptar që do regjistrohet si votues nga jashtë në aplikacionin e KQZ- së duhet t’u hiqet mundësia për të votuar në vendin tonë pasi nuk do të gjejnë emrin e tyre në listë.
"Gjendja Civile harton listën e zgjedhësve duke hequr nga kjo listë emrat e atyre personave që përmban Indeksi i Votuesve nga jashtë," thuhet në vendim.
Sipas këtij drafti, emigrantë do të duhet të bëjnë kërkesën për regjistrim jo më vonë se 15 ditë nga shpallja e datës së zgjedhjeve dhe përfundon 60 ditë para ditës së votimit.
Ndërsa në rast të zgjedhjeve të parakohshme procedura për regjistrim fillon jo më vonë se 2 ditë nga data e shpalljes së dekretit të Presidentit dhe përfundon jo më vonë se 15 ditë përpara datës së zgjedhjeve.