Komisari vrau me skaf fëmijën në Himarë, merren ne pyetje familjarët e vajzës e dëshmitarë okularë

Mbi 20 persona janë pyetur nga policia e Vlorës në lidhje me ngjarjen e djeshme ku humbi jetën Joanda Avdiaj, 7 vjeç.

Mes personave të pyetur, momente pas ngjarjes, në gjendje të traumatizuar, kanë dhënë dëshminë e tyre dhe familjarët e vajzës të cilët kanë treguar tmerrin që panë me sy.

Dëshmitarët okular në këtë ngjarje kanë qenë të shumtë. Të pyetur në momentet e para pas ngjarjes nga policia e Himarës dhe Vlorës këta të fundit kanë dhënë detaje tronditëse.

Në dëshmitë në polici disa prej tyre tregojnë se skafi ka tentuar të ikë nga vendi ngjarjes, por kanë qenë këta të fundit që e kanë ndaluar.

Arjan Tase në momentet e para të krimit nuk ka shfaqur pendesë për çka bëri, por ka kundërshtuar me fjalë familjarët të cilët nuk mund as t'i jepnin ndihmën e parë vajzës së tyre.

Dëshmitarët okular në dëshmitë e tyre kanë treguar se trupi i së miturës për pak momente ka ndenjur në ujë pasi askush nuk guxonte ta nxirrte prej andej. Ka qenë një shtetas i huaj që sipas tyre e ka nxjerrë, duke e vendosur në një shezlong aty pranë për t'i dhënë ndihmën e parë.

Gjithashtu sipas qytetarëve në momentet kur po kthehej me indietro drejtuesit të skafit i është folur shpesh herë të ndalojë, pasi vajza ishte pranë tij, por ky i fundit s’ka dëgjuar.  

Arjan Tasen në dëshminë në polici qytetarët e përshkruajnë se ka luajtur rolin e "trimit" gjatë gjithë kohës. Kjo nga dëshmi të konfirmuara nga burimet e policisë së Vlorës.

Nga ana tjetër Arjan Tase në dëshminë e tij në komisariat ka pranuar autorësinë e krimit duke dhënë edhe ai dëshminë e tij duke ja hedhur deri diku fajin mjetit Tase ka treguar se mjetin gomone “Nëna 154” e ka marr tek i afërmi i tij në Porto Palermo. Ka ardhur me të në Potam ku e ka ndaluar.

Më pas ka tentuar të bëj xhiro familjarët e tij. Kur këta të fundit kanë hipur në gomone Tase ka ulur manjetat e gomones duke i dhënë gaz. Vajzën pas gomones e ka prerë helika, teksa Tase deklaron se nuk ka mundur as ta vë re, por as të dëgjojë persona të tjerë kur flisnin, mëson Ora News.

Përsa i përket momenteve të tensionit pas ngjarjes Tase është shprehur se është vetmbrojtur pasi gjatë gjithë kohës ka pasur njerëz që donin ta dëmtonin atë dhe familjen e tij.

Në dëshminë në komisariat ai ka mohuar akuzat e qytetarëve se ka kërkuar të arratisej. Në komisariatin e Himarës kur është marr në pyetje, Tase ka shfaqur pendesë për krimin duke pranuar autorësinë e tij.

Verifikimet në mjetin tip gomone 7 metra të gjatë me dy motor 300 kuaj fuqi kanë nxjerr në pah se mjeti ishte me dokumentacion të rregullt, gjithashtu në të është gjetur edhe armë zjarri e llojit pistoletë e cila ka qenë arma e shërbimit të ish komisarit Tase.

Ky i fundit nga burimet e policisë së Vlorës rezulton i pajisur me patentë të mjeteve lundruese të marr pak kohë më parë krimit në fjalë.

Mjeti tip gomone është sekuestruar nga policia e Vlorës. Gjithashtu janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të bizneseve aty pranë.

Mbi Arjan Tasen tashmë rëndojnë akuzat e vrasjes nga pakujdesia por pritet kqyrja e kamerave të sigurisë teksa nëse vërtetohen dyshimet se ka tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes apo është konfliktuar me familjarët dhe persona të tjerë mbi të pritet të rëndojnë edhe akuza të tjera.