Kosova nuk tërhiqet nga reciprociteti pa hequr barrikadat, vijon lëshimi i dokumenteve hyrje-dalje në Merdarë
Reciprociteti për letërnjoftime me Serbinë po vazhdon edhe në orët e hershme të së hënës. Në pikën kufitare në Merdarë po lëshohen fletëdeklarimet për gjithë shtetasit serbë që po hynë në Kosovë.
Zyrtarë policorë në këtë pikë kufitare kanë thënë për KosovaPress se deri të ketë një vendimmarrje politike, të njëjtit do të vazhdojnë t’i pajisin shtetasit serbë me fletëdeklarime për hyrje - dalje në territorin e Kosovës.
Aktualisht, në këtë pikë kufitare ka kolona të gjata veturash si në dalje, po ashtu edhe më hyrje të Kosovës, kryesisht mërgimtarë.
Kryeministri Albin Kurti, në deklaratën e lëshuar mbrëmjen e djeshme deklaroi se do të shtyhej zbatimi i reciprocitetit me kusht që të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë, raporton media kosovare.
”Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës,” tha ai.

