Reagon KFOR: Situata në veri të Kosovës e tensionuar, gati të ndërhyjmë nëse kërcënohet stabiliteti
“Situata në veri të Kosovës është e tensionuar. KFOR po monitoron nga afër dhe po përgatitet të ndërhyjë nëse stabiliteti është në rrezik” thuhet në deklaratën për shtyp të KFOR.
Gjithashtu informohet se komandanti i KFOR është në kontakt me përfaqësuesit e sigurisë të Kosovës dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe.
"NATO I bën thirrje si Serbisë dhe Kosovës të vijojnë negociatat. Është e rëndësishme që këto të vijojnë. Kjo është kritike për paqen dhe sigurinë në rajon. Dialogu konstruktiv është çelësi për stabilitetin në rajon. KFOR do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurtë në Kosovë" vijon deklarata.
Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimeve - që ishin planifikuar të zbatoheshin nga 1 gushti - duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.
“Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka kërkuar të dielën Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për 30 ditë zbatimin e vendimeve.


