Qeveria shtyn zbatimin për reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet. Pranon kërkesën e SHBA por me kushtin ndaj Serbisë


Qeveria e Kosovës e ka pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shtyrë vendimin për reciprocitetin ndaj Serbisë për targat dhe dokumentet por me kusht që serbët të heqin barrikadat.

Në deklaratën e lëshuar të Qeverisë së Kosovës, thuhet se ekzekutivi jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve, me kusht që të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë.

”Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.

Më tej në reagimin e saj, qeveria e dënon ashpër bllokadën e sotme të krijuar rrugëve në veri të vendit

”Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sotme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.

Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë.

Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin”.

Më vonë edhe kryeministri Kurti shkruajti në twitter, se zotohen si qeveri, që të shtyjnë zbatimin e recirprocitetit për 30 ditë, me kusht që të hiqen të gjitha barrikadat dhe të rivendoset liria e plotë e lëvizjes.

”Në bashkëpunim me aleatët tanë ndërkombëtarë, ne zotojmë se do të shtyjmë për 30 ditë zbatimin e vendimeve për targat e makinave dhe dokumentet hyrëse-dalëse në pikat kufitare me Serbinë, me kusht që të hiqen të gjitha barrikadat dhe të rivendoset liria e plotë e lëvizjes”.