U qëllua drejt njësiteve policore, janë keqtrajtuar shqiptarë, konfirmon policia e Kosovës. Mbyllen pikëkalimet në Bërnjak dhe Jarinjë

Policia e Kosovës njoftoi sot në mbrëmje vonë se zyrtarisht se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur.

Po ashtu janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe keqtrajtuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.

Ndërkohë Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve - për shkak të bllokadave të vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës, dhe ka njoftuar qytetarët që të përdorin rrugë alternative.