Vuçiç takon shtabin e ushtrisë serbe: I kemi lutur të shtyjnë vendimin deri në marrëveshje në Bruksel
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se ndoshta lufta më e vështirë politike është përpara në javët dhe muajt e ardhshëm.
Ai i ka bërë këto deklarata në kohën kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shtyrje të zbatimit të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe për një muaj, duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.
“Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Ndërkohë në Beograd, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë të ditur se e ka patur mbledhje me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë.
Ai ka deklaruar se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë, Milan Mojsiloviq është takuar me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe se kanë shkëmbyer informacione, pasi, siç ka thënë ai, gjatë mbrëmjes ka pasur shumë dezinformata.
Vuçiç ka bërë të ditur se, në mesnatë, komandanti i KFOR-it do të takohet me përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës.
“I kemi lutur që të bëjnë gjithçka, nëse jo ta anulojnë (vendimin për zbatimin), atëherë ta shtyjnë zbatimin deri në arritjen e marrëveshjes në Bruksel”, ka thënë Vuçiç.
Presidenti i Serbisë po ashtu tha se pret që situata të shtensionohet gjatë ditës së hënë.
Shtyrjen e vendimit për zbatimit të vendimeve të Qeverisë e ka kërkuar Qeveria amerikane.
“Jam këtu që në emër të Qeverisë amerikane të kërkoj shtyrjen e zbatimit të këtyre dy marrëveshjeve për 30 ditë. Ne mendojmë se një shtyrje e tillë do të ishte e rëndësishme, sepse duket se ka dezinformim dhe keqkuptime për këto vendime. Ne shpresojmë se do të punojmë me këtë Qeveri dhe kolegët nga Bashkimi Evropian që të sigurojmë se këto marrëveshje kuptohen më mirë dhe në këtë mënyrë të ulim tensionet", ka thënë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas takimit që ka zhvilluar me zyrtarë të lartë shtetërorë në Kuvendin e Kosovës.
