Ministria fillon lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje në Merdare

Në Merdare, disa minuta pas mesnatës, duke ardhur 1 gushti është lëshuar dokumenti i parë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës për hyrje/dalje për një qytetar të Serbisë.

Dokumente të tilla do të vazhdojnë të lëshohen deri në largimin e barrikadave në veri të Kosovës.

Barrikadat janë vënë më 31 korrik nga serbët lokalë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave që lëshojnë autoritetet e Serbisë me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe dokumentet për hyrje/dalje për qytetarët serbë kur të hyjnë në njërën nga pikat kufitare në Kosovë.

Qytetarët me letërnjoftime të Serbisë që hyjnë në Kosovë do të pajisjen me një dokument të tillë. Po ashtu do të pajisjen edhe në dalje.

Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimeve - që ishin planifikuar të zbatoheshin nga 1 gushti - duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.

Vendimet për targat dhe dokumentet serbe

Qeveria e Kosovës pati vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator. /REL/