MPJ-ja e Kosovës njofton se Bërnjaka e Jarinja mbesin e mbyllura. Hyni nga Maqedonia e Veriut

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve që të shfrytëzojnë pika tjera kufitare, pasi ato në Jarinjë e Bërnjak janë të mbyllura.

Qytetarëve të Kosovës që kanë hyrë tashmë në Serbi u është thënë që të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut.

“Policia e Kosovës ka mbyllur përkohësisht për qarkullim për udhëtarë dhe për automjete pikat kufitare Bernjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve.

Njoftohen të gjithë bashkëatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës. Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi merrni rrugën përmes Maqedonisë së Veriut (pikëkalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit.

Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të gabuara, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutem ndiqni Policinë e Kosovës rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”, thuhet nga MPJ e Kosovës.

Qeveria e Kosovës e ka pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shtyrë me 30 ditë vendimin për reciprocitetin ndaj Serbisë për targat dhe dokumentet.