Tensione në Veri të Kosovës për vendimin e targave, ndizen sirenat, raportohet edhe për të shtëna

Vendimi i Qeverisë së Kosovës që të vendosë reciprocitet për targat dhe dokumentet serbe ka tensionuar situatën në veri të vendit.

Përdoruesit në rrjetin social Twitter kanë publikuar pamje të reja nga situata atje ku dëgjohet sirena e alarmit, ndërsa disa thonë se ka edhe gjuajtje me armë.

Ndërkohë, policia e Kosovës ka bërë me dije se janë mbyllur pikat kufitare në Jarinje dhe Bernjak, për shkak të bllokimit të rrugëve dhe ka bërë thirrje për qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare.

Serbët në veri kanë bllokuar disa rrugë disa orë para fillimit të masave të reciprocitetit me dokumente.

KFOR-i ka dalë në terren për të vëzhguar situatën ndërsa në komunat në veri është ndezur një alarm që bën thirrje për mbledhje të qytetarëve.

“Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullim udhëtar dhe për automjete në pikë kalimet kufitare Bernjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve  në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak. Njoftohen të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.” – njofton policia e Kosovës.