"Rikthehen inatet e vjetra të dialogut", Beogradi: Kurti është hipokrit, të formojë asociacionin e komunave serbe

Ndërsa komuniteti ndërkombëtar u bën thirrje palëve që të bëjnë progres në dialog, Prishtina dhe Beogradi kanë zgjedhur të bëjnë hapa pas. Këtë herë molla e sherrit është asociacioni, për të cilin zoti Kurti thotë se është vetëm në interesin e Vuçiçit dhe jo të qytetarëve serbë në Kosovë.

I ashtuquajturi asociacioni i komunave serbe i cili ka mbajtur peng dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit është rikthyer në fokusin e dy kryeqyteteve me ç’rast pritet edhe përkeqësimi i marrëdhënieve mes dy shteteve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Beogradi zyrtar përmes të ashtuquajturit drejtor i zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviç ka lëshuar akuza ndaj kryeministrit Kurti, pasi ky i fundit u shpreh se asociacioni i komunave me shumicë serbe i intereson vetëm Beogradit dhe jo entitetit serb në Kosovë.

"Ajo që bën Albin Kurti është kulmi i hipokrizisë ndërsa zgjedh të thotë se asociacioni nuk është në interesin e popullit serb të Kosovës. Por a janë në interesin e serbëve të Kosovës më shumë se 200 incidente me motive etnike? E gjithë kjo nuk do të kishte ndodhur nëse do të ishte formuar Asociacioni i Komunave Serbe, siç është rënë dakord në Marrëveshjen e Parë të Brukselit," tha ai.

Drejtori i zyrës së rreme pretendoi se Kurti nuk dëshiron ta formojë asociacionin pasi ai siguron ekzistencën e komunitetit serb në Kosovë.

Kreu i qeverisë kosovare të enjten, deklaroi se unifikimi i komunave serbe është më shumë në interes të Beogradit se sa në atë të serbëve të Kosovës.

Zoti Kurti shtoi se në letrat që i vijnë nga veriu i vendit, ku jeton pjesa më e madhe e entitetit serb nuk ka asnjë ankesë që lidhet me mos formimin e asociacionit të komunave serbe.

Gjykata Kushtetuese në Prishtinë me një vendim të vitit 2015 konstatoi se kapitujt e marrëveshjes për formimin e asociacionit nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.