Kosova ngelet si Bjellorusia, Qeveria rrëzoi projektligjin e PDK-së për rregullimin e çmimit të ilaçeve

Maxhoranca në Kosovë ka vendosur të radhitet krah Bjellorusisë. Të dy shtetet janë të vetmet në kontinentin evropian që nuk kanë rregullator për ilaçet, pasi Vetëvendosja hodhi poshtë projektligjin e PDK-së të premten.

Deputetët e maxhorancës në Kosovë kanë rrëzuar projektligjin e hartuar nga partia më e madhe opozitare në vend PDK-ja lidhur rregullimin e çmimeve të ilaçeve dhe produkteve medicinave.

Vetëm 19 deputetë kanë votuar pro, 42 kundër dhe dy kanë abstenuar, në mesin e tyre edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Aktualisht, çmimin e produkteve farmaceutike në Kosovë e caktojnë vetë farmacitë dhe ende nuk ka një mekanizëm për unifikimin e tregut.

Në memorandumin shpjegues të projektligjit, i cili nuk u miratua, thuhet se në mungesë të rregullimit të çmimit të ilaçeve, buxheti i shtetit dhe qytetarët, për vite me radhë, janë dëmtuar duke paguar produkte më shtrenjtë se vlera e tyre.

Projektligjin e mbështetën edhe dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kreu i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kërcënoi edhe me bllokadë në sesionin e ardhshëm parlamentar nëse Vetëvendosja do të votonte kundër projektligjit.

Argumenti i qeverisë ishte se ata e kishin planifikuar që ta formonin rregullatorin e çmimeve të ilaçeve për në shtator.

Rregullimi i çmimit të barnave bëhet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian, ku Kosova synon të anëtarësohet.

Aktualisht, vetëm Kosova dhe Bjellorusia në kontinentin evropian nuk kanë legjislacion për qëllim të tillë.