"Kërkoj nga ju besim dhe vullnet", Kurti thirrje serbëve të Kosovës për targat RKS

Kryeministri Albin Kurti u është drejtuar të shtunën me një mesazh në Facebook serbëve të Kosovës, duke i kërkuar besim dhe vullnet, një ditë para se të përfundojë afati që qytetarët në veri të kthejnë targat e tyre ilegale në RKS dhe ai i reciprocitetit me dokumente të identifikimit.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Përmes mesazhit në gjuhën serbe, Kurti thotë se këto dy veprime që hynë në fuqi më 1 gusht nuk duhet të kuptohen ndryshe “përveç si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave, të drejtave tuaja, si nënshtetas të Kosovës”.

“Obligimi i Qeverisë është të mbrojë të drejtat tuaja nga veprimet diskriminuese, të cilat janë kërcënuese ndaj të gjithë neve”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit tutje u shpreh se kërkon nga serbët e Kosovës të kenë besim dhe vullnet për ta kaluar këtë proces dhe të përfundojë regjistrimi.

“Këtë që po e fillojmë më 1 gusht, Serbia e ka filluar para 11 vjetëve. Çdo veprim i joni është respektim i ligjit për të gjithë”, ka shtuar ai.

Në qershor, Qeveria vendosi t’ua japë dy muaj afat qytetarëve serbë që të largojnë targat ilegale. Në veri deri tash ka pasur disa reagime kundër vendimit, ndërsa nuk kanë munguar as deklarata të krerëve të Serbisë.

Ministria e Brendshme njoftoi të premten se nga 1 gushti deri më 30 shtator do të fillojë procesi i regjistrimit të targave ilegale në RKS në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve.