Tension në veri të Kosovës, Vuçiç: Prishtina ka dërguar njësitë speciale, Kurti thërret Këshillin e Sigurisë Kombëtare
Presidenti Vuçiç ka bërë thirrje që Kosova dhe serbët që jetojnë atje të vetëpërmbahen për të mos shkaktuar konflikte. Lideri serb pretendoi se Prishtina ka dërguar njësitë speciale në pikat kufitare lidhur me zbatimin e urdhrit të ri të qeverisë kosovare për targat, ndërsa Kurti mbledh këshillin e sigurisë kombëtare.
1 gushti shënon edhe fillimin e 2 muajve të nxehtë e të tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë.
Për 61 ditë, të gjitha automjetet me emrat e qyteteve të Kosovës do të duhet të riregjistrohen në targat RKS, ndërsa mbajnë ende akronimet e qyteteve kryesisht të veriut të Kosovës, pasi janë regjistruar në territorin e Serbisë.
Presidenti Vuçiç ka nxituar t’i adresohet kombit në mënyrë urgjente paraditen e së dielës, duke pretenduar se Njësitë speciale të Kosovës janë dërguar pikat kufitare të Jarinjës dhe Brnjakut.
Vuçiç: Ata kanë dërguar njësitet e tyre paraprakisht në vendkalimet administrative Jarinje dhe Bërnjak me dëshirën që të ndalojnë të gjithë ata që kanë targa serbe. E gjithë kjo duhet të fillojë sonte në mesnatë, me bindjen e serbëve që të heqin dorë nga targat KM.
Lideri serb bëri thirrje për paqe duke pretenduar se Beogradi nuk po i hedh benzinë zjarrit.
Vuçiç: Lutem që shqiptarët të mos provokojnë luftë dhe serbët tanë në Kosovë të mos bien pre e provokimeve. Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar të reagojë në kohë, nuk duam konflikte.
Ndërkohë në Prishtinë, kryeministri Kurti thirri mbledhjen e sigurisë kombëtare lidhur me zbatimin e riregjistrimit të targave në sistemin RKS për serbët e veriut të Kosovës në kuadër të reciprocitetit me palën serbe.
Edhe pse qeveria e Kosovës nuk ka dhënë zyrtarisht detaje se çfarë do të ndodhë me shoferët që nuk e kryejnë regjistrimin ajo që dihet është se ata nuk mund të kalojnë përtej komunave ku kryesisht jetojnë serbët.
Të shtunën në mbrëmje kreu i zyrës së rreme serbe për Kosovën tha se Beogradi do të niste nga puna për themelimin e të ashtuquajturit asociacioni i komunave me shumicë serbe edhe pse Gjykata Kushtetuese e vendit e ka shpallur anti-kushtetues.
Petkoviç: Nëse Prishtina realizon marrëveshjen e 2011-s në mënyrë të njëanshme për targat atëherë edhe serbët kanë të drejtë të realizojnë marrëveshjen e 2013-s për asociacionin.
Bashkimi Evropian megjithatë i ka dhënë të drejtë Prishtinës.

