Miqësore plot “show”, fiton Roma dhe Reali, “ngec” sërish Interi

Skuadra e Interit nuk arriti më shumë se një barazim 2 me 2, në sfidën përballë Lionit, e luajtur në Çezena.

Zikaltërit arritën të shmangnin humbjen, pasi francezët e Lion, kaluan dy herë në avantazh, me Lakazet në minutën e 31 dhe Shekri në të 50-n.

Vetëm një minutë pas golit të dytë të Lion, Interi arriti të gjente rrugën e rrjetës me Romelo Lukakun, dhe 14 minuta më pas, në të 65-n, mesfushori Barela arriti të barazonte rezultatin, duke shmangur humbjen.

Roma arriti një rezultat pozitiv, në miqësoren e luajtur ndaj Totenham, në Haifa të Izraelit.

Verdhekuqtë arritën të fitonin me rezultatin 1-0 ndeshjen përballë topçinjve të Londrës, me golin e realizuar nga qendër mbrojtësi Ibanjez në minutën e 29.

Protagonist në këtë ndeshje ishte edhe trasferimi i bujshëm i romanistëve, Paolo Dibala, i cili nga një goditje këndi, dha asistim për gol.

Edhe Reali i Madridit arriti një rezultat pozitiv përballë Juventusit, në sfidën e luajtur në Pasadena të Kalifornias. ‘Galaktikët’ mundën ‘Zonjën e Vjetër’ me rezultatin 2-0, me një gol për secilën pjesë. Rezultatin e zhbllokoi Benzema në minutën e 19-të, me anë të një 11-metërshi të fituar nga Vinicius Xhunior.

Goli i dytë do të vinte në minutën e 69-t nga Asensio, duke shfrytëzuar mjaft mirë, një top të dhënë nga Vajeho.