Autostrada Fier-Lushnje lë në hije rrugët dytësore, fshati Vajkan akoma me rrugën e para 20 viteve
Fshati Vajkan në Fier është një ndër më të banuarit në këtë qark, por mugesa e investimeve sidomos në rrugë, po bën që jetesa të vështirësohet.
Banorët ankohen se prej vitesh rruga që të çon në fshat është e amortizuar. E për këtë shprehen se që prej ndërtimit të autostradës Fier - Lushnje ky aks është lënë në harresë.
"Kam 12 vite që jam në harresë pasi për shkak të rrugës biznesi është në falimentim. Rruga i ka frenuar të gjithë turistët. Ata bëjnë 2-3 km deri këtu dhe kthehen mbrapsht për shkak të rrugës së amortizuar. Kjo ka shkatërruar komplet turizmin ndërsa bizneset janë totalisht jashtë funksioni" tha një banor.
Kohë më parë kjo rrugë, që i shërben mbi 3 mijë banorëve, ka qenë kryesore për të shkuar drejt qyteteve të veriut dhe anasjelltas, por prej 13 vitesh pak kush kalon aty.
"Ka të paktën 20 vite që nuk është vënë dorë në këtë rrugë. Në autostradë kalojnë ministrat, deputetët dhe qytetarët, kurse fshatarët kalojnë këtej, domethënë ata që kanë halle të mëdha si puna ime," thotë një tjetër banor.
Rruga është me gropa dhe ka mungesë ndriçimi në të gjithë gjatësinë edhe pse përmes saj duhet të kalosh për të shkuar drejt Manastirit të Ardenicës.
"Po bëhen vite që kjo ka mbetur ashtu siç ka qenë më parë, me gropa. E kanë lënë dhe nga puna e autostradës," thotë një banor.
Për shkak të mungesës së investimeve një pjesë e banorëve janë larguar madje edhe shumë prej bizneseve janë mbyllur.