Situata me zjarret mbetet shqetësuese, mungojnë të dhënat e sakta mbi sipërfaqet e shkrumbuara
Situata me vatrat e zjarrit në vendin tonë vijon të jetë shqetësuese.
Në 24 orët e fundit Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ka bërë me dije se janë arritur të shuhen 16 vatra ndërsa dy mbeten ende aktive.
Flakët vijojnë intensivisht në fshatin Ndrëshen dhe Bogë. Ministria e Mbrojtes ka paraqitur edhe një panoramë të situatës.
"Për shuarjen e zjarreve gjatë 24 orëve janë angazhuar kapacitete operacionale në nivelin qendror dhe vendor.
Janë angazhuar 266 forca operacionale nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi , forcat e armatosura, forcat bashkiake, forcat policore nga zonat e mbrojtura, nga shërbimi pyjor, forca vullnetare si dhe 29 mjete zjarrfikëse dhe mjete të tjera operative," tha ai.
Përgjatë korrikut në të gjithë vendin janë shënuar qindra vatra zjarresh por ende nuk ka të dhëna se sa është sipërfaqa e shkrumbuar.
Paralelisht me fikjen e flakëve ka nisur edhe hetimi për shkaqet ku nuk mungojnë dyshimet për zjarrëvënie të qëllimshme.