Bruksel - Tiranë vizitat tani të përjavshme, nis punën ekipi i negociatorëve, Rama: S'i gjen në google por janë palca e shtetit

Nis punën ekipi negociator që do të jetë urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian pas çeljes së negociatave.  

Kryeministri Edi Rama mblodhi sot (30 korrik 2022) ekipin e negociatorëve që do drejtohet nga ministrja e shtetit, kryenegociatorja Majlinda Dhuka dhe kërkoi angazhim maksimal tani në këtë fazë e cila është shumë teknike.

Vizitat tani në Bruksel dhe të përfaqësuesve të komisionit këtu janë të përjavshme. Nuk janë më të përdisamuajshme. Por të përjavshme. Është themelore që secili prej jush të garantojë me punën seriozitetin dhe cilësinë e materialevve që Shqipëria të shikohet me respekt në çdo hap.  Atë respekt që kemi fituar në aspektin politik duhet ta fitojmë në aspektin teknik. Unë dua që në Bruksel skuadra shqiptare të krijojë një përshtypje absolutisht pozitive. Në Bruksel të flitet për seriozitetin, këmbënguljen dhe cilësinë e punës së skuadrës shqiptare.  ” tha Rama.

Pse u zëvendësua Zef Mazi

Volumi i punës është i tillë që sfida të jetë tërësisht e re dhe kjo është arsyeja që karrigen e  ‘diplomatit” të njohur si Zef Mazi ia  dha Majlinda Dhukës si ministre Shteti dhe Kryenegociatore.

”Vendosja e kryenegociatores së re nënvizon ndryshimin e natyrës së marrëdhënieve mes nesh dhe BE-së përmes kryenegociatorit si urë. Ambasadori Mazi bëri një punë shumë të lavdërueshme diplomatike duke qenë një krah shumë I rëndësishëm në këtë proces për mua e ministren deri në momentin kur u vendos që negociatat të nisin formalisht.

Kemi një pozicion të avantazhuar për shkak se kemi bërë një pjesë të madhe të punës që përkon me pjesën e fillimit të negociatave por tani natyra shumë teknike e këtij procesi kërkon një profil shumë teknik”

Emri nuk figuron në google

Nuk la pa iu përgjigjur dhe gazetarit Lutfi Dervishi i cili kur u mësua emri i kryenegociatores së re vinte në dukje se ishte një person që nuk e njihte as google.

”Më bëri përshtypje dikush që kur doli emri I kryenegociatores thoshte kërkova në google dhe nuk e gjeta.  Kjo është arsyeja pse ka një ndryshim themelor. Ka shumë njerëz në administratën tonë nuk i gjen në google por pa të cilët administrata jonë nuk do të funksiononte dot. Janë pjesë e palcës së shtetit shqiptar që në 1990 dhe I kanë shërbyer shtetit me modestinë e intelektualit që është gjithmonë në hije. Larg qoftë sikur të mos kishin qenë ata njerëz dhe gjithçka të kishte mbetur në dorën e atyre që hyjnë e dalin shpesh herë si në mallin e babait do të ishim në një situatë si ajo e pas tërmetit. Fatmirësisht janë njerëzit si kryenegociatorja që kanë bërë pjesën e tyre të punës”

Ngrihet këshilli ndërministror 

Rama foli dhe pwr ngritjen e një këshilli ndërministror për çështjet europiane që do të duhet të garantojë vazhdimësi qoftë për qëndrimet dhe ecurinë e procesit të negociatave.

"Do të mblidhet në mënyrë periodike me kërkesë të ministres së shtetit për adresim të çështjeve të natyrës politike apo me kërkesë të Ministres e Jashtme apo të kryeministrit. Eshtë forum i brendshëm për të pasur sensin e gjërave dhe të mos punoni si ishuj të izoluar"