Drejt BE-së/ Nis punën ekipi negociator teknik, Rama u lë porositë, ngrihet këshilli ndërministror

Pas 19 korrikut grupi negociator shqiptar në nivel zv/ ministrash dhe drejtues të institucioneve publike kanë marrë në dorë procesin e negociatave të vendit tonë në BE. Para pushimit kryeministri Rama i mblodhi për ti bërë të qartë si duhet të punojnë për të prezantuar Shqipërinë në mënyrë serioze në Bruksel.

Edi Rama: Intensiteti i punës tuaj dhe intensiteti i ndërveprimit me Komisionin Europian rritet eksponencialisht. Në vizitat në Bruksel dhe përfaqësuesit të Komisionit këtu janë të përjavshme. Mos punoni si ishuj të izoluar.

Grupi negociator veç punës impenjative me BE duhet të kalojë dhe provën e besimit të shefit të qeverisë.

Edi Rama: Unë dua që në Bruksel skuadra shqiptare të krijojë një përshtypje pozitive dhe Shqipëria të shikohet me respekt në çdo hap.

Zyrat e ekipit negociator do të transferohen nga ministria e Jashtme në kryeministri nën drejtimin e ministres së Shtetit Majlinda Dhuka.

Edi Rama:Më bëri përshtypje dikush që kur doli emri i kryenegociatores thoshte kërkova në google dhe nuk e gjeta.  Kjo është arsyeja pse ka një ndryshim themelor. Ka shumë njerëz në administratën tonë nuk i gjen në google por pa të cilët administrata jonë nuk do të funksiononte dot. 

Dhuka ishte e prerë dhe kishte vetëm një porosi

Majlinda Dhuka: Ju kërkoj të gjithëve bashkëpunim, shpejtësi, progres”

Ekipi teknik shqiptar do të ketë mbi kokë dhe një tjetër strukturë politike të ngritur nga qeveria shqiptare.

Edi Rama: Është e udhës ti japim jetë një këshilli ndërministror për çështjet europiane që do të duhet të garantojë vazhdimësi qoftë për qëndrimet dhe ecurinë e procesit të negociatave. Do të mblidhet në mënyrë periodike me kërkesë të ministres së shtetit për adresim të çështjeve të natyrës politike apo me kërkesë të Ministres e Jashtme apo të kryeministrit. Eshtë forum i brendshëm për të pasur sensin e gjërave dhe të mos punoni si ishuj të izoluar" 

Shqipëria çeli negociatat më 19 korrik 2022.