Durrës/ Arrestohet marinari rus, i gjejnë materiale pornografike me të mitur

Një shetas i federatës ruse është arrestuar nga prokuroria e Durrësit, pasi ka rezultuar se në telefonin e tij janë gjendur materiale pornografike me fëmijë të mitur.

Personi  i arrestuar quhet Grigory Gorbunov, dhe është pjesë e ekuipazhit të anijes së ngarkuar me qymyr, brenda së cilës u sekuestruan 49 kg kokainë. Anija dy ditë me parë dhe ekuipazhi i saj u lirua për të dalë nga kalata e portit të Durrësit, me qëllim udhëtimin drejt destinacionit.

Por njëri nga marinarët, Rusi Grigory Gorbunov është arrestuar dhe ndaj tij është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Durrësit.

"Nga veprimet hetimore rezultoi se 42-vjeçari ishte inxhinier i dytë i anijes që u kap me 49 kg kokainë, në portin e Durrësit, në maj të këtij viti. Gjithashtu, gjatë veprimeve, rezultoi se shtetasi G. G. mbante në telefonin e tij materiale të ndryshme pornografike" informoi sot policia e Durrësit

Arrestimi i rusit nuk është bërë për akuzën e Trafikut të lëndëve narkotike, por për Pedofili, vepër penale kjo që parashikohet në nënin 117 të Kodit Penal.

Në telefonin e marinarit rus, prokuroria ka gjetur video dhe foto me përmbajtje pornografike të fëmijëve të ndryshëm. Nisur nga kjo situatë ai është arrestuar. Ndërsa për arrestimin e tij mësohet të jetë vënë në dijeni edhe ambasada e Federatës Ruse në Tiranë.

Shtetasi rus nuk e ka pranuar akuzën, duke treguar se telefonin e kishte blerë në një port ku kishin qëndruar me anije dhe nuk dinte se çfarë përmbajtje kishte në memorien e tij.

Rasti u zbulua nga prokuroria e Posaçme SPAK, e cila ka kontrlluar aparatet e telefonit të marinarëve me qëllim verifikimin e tyre për trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Durrës.

Por kur ka konstatuar se në telefonin e Grigory Gorbunov me profesion inxhinier, kishte përmbajtje pornografike, është vendosur që materiali ti përcillet prokurorisë së Durrësit, e cila më pas ka proceduar me arrestimin e shtetasit rus.