SPAK të hetojë Teatrin Kombëtar, Adriana Kalaja: Gara e hapur nga bashkia Tiranë, korruptive

Kryetarja e Komisionit  të Apelimit në Partinë Demokratike, Adriana Kalaja, nga foltorja e selisë blu duke e cilësuar korruptiv projektin Bjark Ingels për Teatrin e ri Kombëtar, ka paralajmëruar kreun e Bashkisë Erion Veliaj se për çdo veprim në kurriz të pronës publike do të përballet me aksion ligjor dhe qytetar.

Kalaja: Erion Veliaj në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak ka njoftuar hapjen e garës për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar bazuar në projektin e Bjark Ingels. PD në mbështetje të betejës ligjore të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar bën thirrje se çdo veprim i kryebashkiakut dhe i bandës laramane të përfituesve në kurriz të pronës publike, do të ndeshet me aksion ligjor dhe qytetar. Duke e ditur babëzinë për fitime dhe shpërfilljen për ligjet dhe kushtetutën të dyshes Rama-Veliaj, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit u bën thirrje organeve të drejtësisë të shpejtojnë në aksione dhe drejtësi për të penguar që antiligji të fitojë mbi ligjin.Gjithashtu të provojnë se drejtësia e re nuk është një degë e thyer e ekzekutivit të Edi Ramës dhe një call center e Erion Veliajt.