Qeveria "josh" administratën, kush dhuron gjak 3 herë në vit një javë pushime në Kavalishencë

Këshilli i Ministrave vendosi sot që të gjithë punonjësit e administratës shtetërore që janë dhe do të jenë pjesë e dhurimit vullnetar të gjakut do të jenë pushim jo vetëm ditën që dhurojnë gjak, por edhe të nesërmen.

Duke folur pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se ata dhurues që do të jenë pjesë e rrjetit të dhuruesve, të cilët do të dhurojnë gjakun minimalisht tre herë në vit do të kenë mundësi që sipas një kalendari të ministrive respektive, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes të kenë mundësi të pushojnë në shtëpitë e pushimit të këtyre ministrive, 7 ditë përgjatë një kalendari i cili do të organizohet nga institucionet që do të merren me këtë veprimtari”.

Sipas Manastirliut kjo është një nismë shumë e mirë dhe që do të rrisë dhurimet vullnetare të gjakut dhe do të ketë angazhim më të madh të punonjësve për t’u bërë pjesë aktive e kësaj fushate.

 “Tashmë kemi vendosur të kemi të konsoliduar një kalendar të organizuar nga qendra kombëtare e dhurimit të gjakut dhe gjithashtu nga institucionet e administratës shtetërore.
Për ata të cilët do të dhurojnë vullnetarisht gjakun do të ketë disa përfitime, që vijnë edhe në zbatim të ligjit, por gjithashtu edhe si një promovim i mëtejshëm i këtij akti që është jo vetëm një akt human, por edhe një përgjegjësi qytetare”, tha Manastirliu.

Aktualisht niveli i dhurimit të gjakut në Shqipëri është 12.2 dhurime për 1 mijë banorë nga 11 dhurime për 1 mijë banorë që ka qenë më parë.

Objektivi i Ministrisë është që të kryhen 20 dhurime për 1 mijë banorë.