Verifikim nga e para për lidhjet me Sigurimin, ja si kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkish do ‘filtrohen’ për të shkuarën e tyre
Zbardhen dy projektligjet e Partisë Socialiste për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe ligjin për të Drejtën e Informimit për Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit.
Lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, socialistët kërkojnë që subjekti zgjedhor, kandidatët për deputetë, kryetarë bashkie apo këshilla vendor duhet të paraqesin formularin e aplikimit pranë autoritetit të dosjeve 70 ditë para zgjedhjeve.
Ndërkohë ky institucion ka 20 ditë kohë për të verifikuar pastërtinë e kandidatëve që garojnë në zgjedhje dhe më pas informon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në rast se ata figurojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit.
Sakaq në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar, kërkohet shfuqizimi i pikës 4, të nenit 29.
Nisma ligjore konsiston në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një çertifikatë të mëparshme pastërtie nga komisionet e mëparshme të pastërtisë së figurës, të njohur gjerësisht si komisioni “Mezini” dhe “Bezhani”, nën dritën e fakteve dhe të vërtetës që zbulohet gjatë veprimtarisë së punës së Autoritetit.
"Zbardhja e të vërtetës për personat që ushtrojnë detyra shtetërore, mbi të gjitha për ata persona që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore, është një domosdoshmëri dhe një simbolikë e fuqishme për të dënuar krimet e të kaluarës por padyshim në funksion të së tashmes, për krijimin e një shoqërie të bazuar në parimet dhe vlerat demokratike.
Në këtë mënyrë, Autoriteti do të ketë mundësi të respektojë plotësisht detyrimin ligjor për të informuar institucionet kërkuese, udhëhequr nga parimi i transparencës sipas nenit 4 të ligjit 45 /2015 i ndryshuar, lidhur me rezultatin e verifikimit për të njëjtin shtetas dhe të pasqyrojë dokumentacionin e identifikuar në një procedurë tjetër të mëparshme për të njëjtin shtetas.
Nisma ka rëndësi për të siguruar që historia të mos përsëritet, si dhe në funksion të arritjes së paqes sociale për hir të së cilës, bashkëpunëtorët e sistemit të mëparshëm nuk duhet të kenë mundësi të jenë pjesë e vendimarrjes, çfarëdo niveli qoftë ai" thuhet në realcionin shpjegues të PS.
P R O J E K T L I G J
Nr. _____/2022
PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 10019, DATË 29.12.2008, “KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 78, nenit 81, pika 1, dhe nenit 83, pika 1 të Kushtetutës, me nisëm deputetësh,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 63, pika 3, ndryshohet si më poshtë:
“Kandidat është shtetasi që plotëson kushtet e parashikuara në nenet 45 dhe 69
të Kushtetutës, për të cilin përfundon me sukses procesi i verifikimit të pastërtisë së figurës, dhe që regjistrohet si kandidat për deputet, si kandidat për kryetar bashkie ose për këshillat vendor në organet përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve”.
Neni 2
Pas nenit 63, shtohet neni 63/1 me këtë përmbajtje:
Neni 63/1
“Procesi i verifikimit të pastërtisë së figurës”
1. Subjekti zgjedhor, 70 ditë para datës së zgjedhjeve, për listën e kandidatëve, për deputet, për kryetar bashkie dhe për këshillat vendorë, paraqet kërkesën dhe formularin e plotësuar të aplikimit pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në lidhje me ekzistencën për ta, të informacioneve në dokumente të ish-sigurimit të shtetit, për qëllime të transparencës së pastërtisë së figurës.
2. Kandidati i pavarur për deputet, për kryetar bashkie dhe për këshillat vendor, 70 ditë para datës së zgjedhjeve paraqet kërkesë dhe formularin e plotësuar të aplikimit pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në lidhje me ekzistencën për të, të informacioneve në dokumente të ish-sigurimit të shtetit, për qëllime të transparencës së pastërtisë së figurës.
3. Në çdo rast Autoriteti me marrjen njoftim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, lidhur me regjistrimin e listës së kandidatëve 50 ditë përpara ditës së zgjedhjeve që konkurojnë për zgjedhjet e radhës, kryen procesin e verifikimit dhe përgjigjet në përputhje me përcaktimet e nenit 26 dhe 30, të ligjit nr. 44/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqiqërisë”, të ndryshuar, duke informuar subjektin që ka bërë kërkesën dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
4. Nëse vetëdeklarimi është i rremë në raport me rezultatin e verifikimit, bazuar në parashikimet e nenit 30 të ligjit 45/2015, çështja dërgohet pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili e përcjell më tej në organet përgjegjëse të hetimit për kryerjen e veprimeve përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 3
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
K R Y E T A R E
LINDITA NIKOLLA
P R O J E K T L I G J
Nr. _____/2022
PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR. 45/2015 “PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT PËR DOKUMENTET E ISH-SIGURIMIT TË SHTETIT TË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 78, nenit 81, pika 1, dhe nenit 83, pika 1 të Kushtetutës, me nisëm deputetësh,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhet ndryshimi si vijon:
Neni 1
Pika 4, e nenit 29, shfuqizohet.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
K R Y E T A R E
LINDITA NIKOLLA
RELACION SHPJEGUES
PËR
PROJEKTLIGJIN
“PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR. 45/2015 “PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT PËR DOKUMENTET E ISH-SIGURIMIT TË SHTETIT TË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar, është nisëm e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, në vijim të shkresës së Autoritetit për Informim mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH ose Autoriteti) drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë më datë 26.07.2022, lidhur me shqetësimet mbi pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur apo të emëruar në detyra shtetërore dhe publike.
Rastet flagrante dhe shqetësuese të pasqyruara në shkresën informuese të Autoritetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me Çertifikatën e pastërtisë së figurës në fakt rezultojnë në dokumentat e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, kërkojnë një adresim dhe reagim të menjëhershëm.
Për këto raste duhet të kryhet transparencë e plotë dhe pengesat në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm, por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar.
Nisma ligjore propozon shfuqizimin e pikës 4 të nenit 29 të Ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar, ku shprehimisht thuhet:
Neni 29
“Kërkesa për informim mbi zyrtarë përpara emërimit ose ngritjes në detyrë:
… 4. Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike kur ata kanë marrë certifikatën e pastërtisë së figurës nga institucionet përgjegjëse, sipas ligjit nr. 8001, datë 22.9.1995, “Për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare”, si dhe ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik””.
Kjo dispozitë ndaluese ligjore pengon Autoritetin të disponojë mbi kompetencën e dhënë nga ligjvënësi.
Duke marrë shkas nga problematikat e kohëve të fundit, ngritur nga Autoriteti, përsa i përket disa figurave të verifikuara nga komisionet e mëparshme të pastërtisë së figurës, të njohur gjerësisht si komisioni “Mezini” dhe “Bezhani”, çertifikata e pastërtisë së figurës së të cilëve, me plotësimin e arkivës së Autoritetit, është e diskutueshme, me qëllim transparencën e plotë të rasteve dhe zbardhjen e informacionit të saktë, është e nevojshme që dispozita ligjore (neni 29, pika 4 e Ligjit 45/2015, të ndryshuar) të shfuqizohet.
Nisma ligjore konsiston në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një çertifikatë të mëparshme pastërtie, nën dritën e fakteve dhe të vërtetës që zbulohet gjatë veprimtarisë së punës së Autoritetit.
Zbardhja e të vërtetës për personat që ushtrojnë detyra shtetërore, mbi të gjitha për ata persona që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore, është një domosdoshmëri dhe një simbolikë e fuqishme për të dënuar krimet e të kaluarës por padyshim në funksion të së tashmes, për krijimin e një shoqërie të bazuar në parimet dhe vlerat demokratike.
Në këtë mënyrë, Autoriteti do të ketë mundësi të respektojë plotësisht detyrimin ligjor për të informuar institucionet kërkuese, udhëhequr nga parimi i transparencës sipas nenit 4 të ligjit 45 /2015 i ndryshuar, lidhur me rezultatin e verifikimit për të njëjtin shtetas dhe të pasqyrojë dokumentacionin e identifikuar në një procedurë tjetër të mëparshme për të njëjtin shtetas.
Nisma ka rëndësi për të siguruar që historia të mos përsëritet, si dhe në funksion të arritjes së paqes sociale për hir të së cilës, bashkëpunëtorët e sistemit të mëparshëm nuk duhet të kenë mundësi të jenë pjesë e vendimarrjes, çfarëdo niveli qoftë ai.
RELACION SHPJEGUES
PËR
PROJEKTLIGJIN
“PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 10019, DATË 29.12.2008, “KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, është nismë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, në vijim të shkresës së Autoritetit për Informim mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH ose Autoriteti) drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë më datë 26.07.2022, lidhur me shqetësimet mbi pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur apo të emëruar në detyra shtetërore dhe publike.
Rastet flagrante dhe shqetësuese të pasqyruara në shkresën informuese të Autoritetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me Çertifikatën e pastërtisë së figurës në fakt rezultojnë në dokumentat e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, kërkojnë një adresim dhe reagim të menjëhershëm.
Për këto raste duhet të kryhet transparencë e plotë dhe boshllëqet në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm, por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar.
Nisma ligjore propozon disa ndryshime dhe shtesa në Kodin Zgjedhor që mundësojnë verifikimin e të gjitha subjekteve që kandidojnë në zgjedhje të përgjithshme apo zgjedhje vendore, mbi pastërtinë e figurës së tyre.
Zbardhja e të vërtetës për personat të cilët zgjidhen, e më pas ushtrojnë detyra publike, mbi të gjitha për ata persona që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore është një domosdoshmëri dhe një simbolikë e fuqishme për të dënuar krimet e të kaluarës, por padyshim në funksion të së tashmes për krijimin e një shoqërie të bazuar në parimet dhe vlerat demokratike.
Në këtë mënyrë, Autoriteti do jetë i mundur të respektojë plotësisht detyrimin ligjor për të informuar institucionet kërkuese, udhëhequr nga parimi i transparencës sipas nenit 4 të ligjit 45 /2015, i ndryshuar.

