Sekuestrohen tokat në Lezhë/ SPAK: 66 mijë m2 me vlerë 13 mln euro u fituan nga krimi
Rreth 66 mijë metra katrorë tokë me vlerë rreth 13 milionë euro u sekuestruan nga gjykata e posaçme me kërkesë të SPAK. Prokuroria nuk bën të ditur emrat e pronarëve por tha se pasuritë u sekuestruan pas hetimeve për trafik droge në formën e grupit kriminal të nisura në dhjetor 2019.
Disa sipërfaqe toke prej rreth 66 mijë metra katrore është sekuestruar me urdhër të prokurorisë së posaçme në zonën e Lezhës, pasi dyshohet se është përfituar me të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Lajmi u bë me dije nga zyra e shtypit e cila tha se GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për sekuestro preventive për dy sipërfaqe toke në ishull Lezhë, me sipërfaqe totale rreth 9200 metër katror. Po kështu SPAK bën me dije se ka sekuestruar edhe dy sipërfaqe të tjera toke në zonën e Malit të Rencit, përkatësisht 30 mijë dhe 27 mijë metra katrorë.
Vendimi i sekuestros ka ardhur pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 20 dhjetor 2019 ka regjistruar procedimin penal për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas prokurorisë, gjatë hetimit të këtij procedimi penal ka rezultuar se disa shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me zyrtarë shtetërorë,nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 66 000 m2 tokë në disa zona bregdetare në Lezhë, me një vlerë prej rreth 13 milion euro.
Grupi i hetimit bëri me dije se këto prona kanë rezultuar se janë produkt i veprave penale dhe për rrjedhojë është kërkuar sekuestrimi i tyre.
