HEC-i i Banjës than rezervuarin e Thanës, Hidrocentrali nuk furnizon ujëmbledhësin, rrezikohen të mbjellat

Kulturat bujqësore në Lushnje, Divjakë dhe Libofshë rrezikojnë të thahen.

Rezervuari i Thanës që shërben për të vaditur rreth 34 mijë hektarë tokë në Myzeqe po i afrohet pikës kritike.

Inxhinierët shpjegojnë se ujëmbledhësi ndodhet në këtë situatë për shkak të bllokimit të ujit nga Hidrocentrali i Banjës.

Duke nisur nga qershori e deri në fund të gushtit, HEC-i ka detyrim të lëshojë të paktën 98 metër kub ujë për sekondë por në rezervuar prurjet janë shumë të ulëta.

"Rezervuari i Thanës është në kuotën 28, kuota maksimale është 31. Koncesionarët duhet të lëshojnë për 3 muaj rresht kanalet 8 metër kub/sec dhe aktualisht  lëshojnë deri në 5, 6, 8 orë me 50 metër kub/sec."

Këtë vit situata është më kritike edhe për shkak mungesës së reshjeve. Punonjësit e rezervuarit thonë se shqetësimin mbi situatën e krijuar e kanë ngritur prej një muaji.

"Uji nuk kemi, është thatësirë e madhe. Rrezikohet vaditja e Muzeqesë. Presim të na vijë ujë nga Hidrocentrali i Banjës. Shpresojmë që të zbatohet kontrata që ka lënë Drejtoria jonë me Ministrinë e Bujqësisë kundrejt Hidrocentralit të Banjës. Po bëjmë një muaj me këtë situatë".

Nëse nuk ka reagim, në rezervuar ka ujë jo më shumë se një javë për vaditjen e tokave bujqësore.

"Me këto nivele mund të kemi 5-6 ditë ujë të cilësisë së mirë për vaditje pastaj hyjmë në zonën e rrezikshmërisë ku nuk mund të vadisë asnjë fermer."

Mungesa e ujit për vaditje do t`u shkaktonte dëme të mëdha bujqve të Myzeqesë.