Gurë mbi Ranën e Hedhun, hetim për firmën që kryen punimet e rrugës Shëngjin-Velipojë

Firma Gener 2 është vënë në akuzë se ka dëmtuar zonën e Mbrojtur të Ranës së Hedhun në Shëngjin gjatë punimeve për rrugën Shëngjin-Velipojë. Që prej nisjes së punimeve, nga mali shkëputen gurë që kërcënojnë edhe jetën e pushuesve.

Rana e Hedhur në Shëngjin, zonë e Mbrojtur Monument natyre, po rrezikohet nga rënia e gurëve dhe inerteve nga mali.

Fenomeni që ka nisur të shfaqet prej nisjes së punimeve për ndërtimin e rrugës Shëngjin-Velipojë, ka marrë përmasa të frikshme.

Gurë të mëdhenj kanë rrëshqitur gjatë ditëve të fundit, e të tjere janë shkëputur dhe rrezikojnë të bien nga mali.

Kjo situatë është kthyer në kërcënim serioz edhe për jeten e pushueve, të cilët kanë zgjedhur këtë zonë turistike.

Aktualisht punimet janë ndërprere, por asnjë masë nuk është marrë për të frenuar fenomin.

Pas denoncimit të fenomenit, policia ka verifikuar situatën në terren dhe më datë 21-korrik ka dorëzuar një material në prokurori për firmën zbatuese të këtij projekti.

Akuza e referuar është "Shkelje e rregullave të sigurisë në punë", ndërsa të proceduar janë dy punonjës të kompanisë së firmës.

Po ashtu edhe Inspektoriati i Mbrojtjës së Territorit në Lezhë, ka bërë akt konstatimin dhe ka referuar materialet në prokurori në lidhje me situatën e krijuar në zonën e Ranës së Hedhun.