Qeveria merr vendimin: Shtohen dhe 70 oficerë sigurie për shkollat, përfshihen dhe ato 9-vjeçare
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka lajmëruar miratimin e vendimit për të rritjen e numrit oficerëve të sigurisë me 70, ndërkohë që aktualisht në shkolla ushtrojnë detyrën 150 oficerë sigurie.
Risia e këtij vendimi është që oficerët e sigurisë nuk do të jenë më vetëm në shkollat e mesme, siç kanë qenë nga viti 2018, por edhe në shkollat 9-vjeçare, e prioritet kanë shkollat me numër të lartë nxënësish.
"Dhe sot vijmë me një tjetër vendim të rëndësishëm. Sot kemi vendosur të rrisim edhe numrat për oficerët e sigurisë. Aktualisht në shkollat tona ne kemi 150 oficerë sigurie, në bashkëpunim kjo me Ministrinë e Brendshme, ndërkohë që sot vendosëm të kemi edhe 70 oficerë sigurie më shumë.
Qëllimi i kësaj nisme është që të ofrojmë më shumë siguri, më shumë mbrojtje për nxënësit tanë jo vetëm brenda territoreve të shkollës, por edhe në zonat përreth shkollave.
Risia e këtij vendimi është që oficerët e sigurisë nuk do të jenë më vetëm në shkollat e mesme që kanë qenë gjatë këtyre tre viteve, që nga viti 2018 kur ka hyrë për herë të parë kjo strukturë në institucionet tona, por tashmë oficer sigurie do të kenë edhe shkollat e arsimit bazë, pra shkollat 9-vjeçare. Natyrisht, duke i dhënë më shumë prioritet shkollave që kanë një numër më të lartë nxënësish." tha ajo.