Shtëpia iu dogj nga shpërthimi i bombulës, e moshuara invalide apelon për ndihmë: Po fle jashtë, jam në mëshirë të zotit

Prej 10 ditësh Rabie Hoxha së bashku me djalin e saj po gdhihen e ngrysen në qiell të hapur. Flakët e zjarrit shkaktuar nga shpërthimi i bombulës së gazit i përpinë shtëpinë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Gjithçka iu është bërë shkrumb e hi. 65 vjeçarja invalide nuk arriti të shpëtonte asgjë ndërsa djali atë mbrëmje kishte shkuar si çdo ditë në mal për sherebelë. Me lot në sy Rabia tregon tmerrin e asaj nate.

"Ndihmë s'kam. Jam në mëshirë të zotit. Po deshët më ndihmoni. Nuk kam as një fije shkrepëse. Ju shikojeni vetë tani, ç'tju thëm unë. Nuk kam asgjë, asgjë.

Fle jashtë, as për të ngrën s'kam, as për të pirë, asnjë gjë. Djali është i sëmurë me hepatit. Ka 350 mijë lekë ilace që merr në muaj dhe nuk dimë ç'të bëjmë. Bashkëshortin nuk e kam që gati 4 vite," tha ajo.

Fatkeqësitë nuk i janë ndarë familjes nënë e bir, edhe ai i sëmurë, jetonin prej 3 vitesh në terr pasi dora e shtetit iu kishte prerë energjinë elektrike.

"Ka tre vite se nuk kisha të paguaja dritat. Vetëm me thesin me sherebelë që binte djali, s'kisha as bukë. Mund të jetosh me 30 kg sherebelë," tha ajo.

Që prej ditës kur shtëpia u dogj askush nuk ka shkuar në fshatin Kolonjë për t'i ofruar sado pak ndihmë. Madje nuk ka as reagim nga kryetari i bashkisë Flamur Golemi se çfarë do të bëhet me fatin e saj.

Apeli i saj shkon për gjithë shqiptarët ta ndihmojnë për ndërtimin qoftë edhe të një dhome.