Publikohen datat e aplikimit të maturantëve në U-Albania
Maturantët do të duhet të aplikojnë përmes U Albania për të zgjedhur degën që duan të ndjekin në universitet.
Përmes një deklarate për mediat ministrja Evis Kushi ka bërë të ditur se regjistrimi do të mund të nisë prej kësaj së premte duke zgjatur deri në datën 3 gusht.
Në mesazhin e saj Ministrja Kushi i inkurajon studentët që të mbështeten në prirjet dhe pasionet e tyre, por gjithashtu që të konsultohen edhe me mësuesit e prindërit, në mënyrë që të bëjnë zgjedhjen e duhur.
“Do t’ju ftoja që të keni në vëmendje maksimale edhe programet e studimit që ne i kemi cilësuar si prioritet kombëtar. Siç e dini, këto programe lidhen me disa fusha të shkencave humane, mësuesisë, shkencave natyrore, inxhinierisë, bujqësisë dhe fushës së shërbimeve. Studentët ekselentë dhe ata që zgjedhin programet prioritare do të përfitojnë përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale,” tha ajo.
Kushi nuk ka lënë pa bërë edhe një ftesë për të rinjtë dhe të rejat nga Kosova, të cilët sipas marrëveshjes së nënshkruar me Kosovën, mund të aplikojnë për të ndjekur studimet e larta në universitetet tona, me të drejta të barabarta njësoj si studentët në Shqipëri.
