Dosja e Metës/ Berisha bën akuzën e rëndë: E stisur nga Rama me SHISH. Keqpërdori Genta Sulën e Lindën e Parlamentit

Kryetari i PD-së Sali Berisha priti interesin e mediave për tu ndalur gjatë tek debati politik nëse Ilir Meta ishte bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.

Berisha mori në mbrojtje Metën duke akuzuar Ramën se ka ngritur kurthin së bashku me SHISH ndërsa ka keqshfrytëzuar kryetaren e Autoritetit të Dosjeve, Genta Sula dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.

“Një akt i pashembullt” e quajti Berisha shkresën e Autoritetit të Dosjeve sipas të cilës Ilir Meta figuron në dokumentet e sigurimit të shtetit.

Sali Berisha: “Pas verifikimit të dokumenteve unë deklarova që gjithçka është një trillium I paskrupullt dhe i turpshëm i një njeriu në panik pa moral që përdor shpifjen dhe trillimin kundër kundërshtarëve politikë.

Rama keqpërdori dhe keqshfrytëzoi në mënyrën më të shpifur qoftë kryetaren e Autoritetit qoftë kryetaren e Kuvendit Lindita Nikollën. Genta Sula është keqshfrytëzuar në mënyrën më ekstreme për arsyet që ajo i di vetë dhe do të zbardhen. Mbi bazën e këtij dokumenti të hartuar nga SHISH. Fund e krye eshte turp i Edi Ramës. 

E bën për të hequr vëmendjen nga vjedhjet e tmerrshme që ka bërë, aferën e incineratorëve, aferën e Butrintit e Portit të Durrësit. Kjo ngrehinë është e kalbur dhe do bjerë"

Madje Berisha e di dhe kush është I.M që në dokument Autoritetit i referohet si Ilir Meta. 

"Dje pasdite dhe sot kam dokumentet në dorë. Nuk ka akt më të shëmtuar. Rama bashkë me SHISH që e ka organizuar e ka stisur në mënyrën më të trashë. Cilido që lexon email e ka të qartë që I.M është Ilir Murati nga Librazhdi dhe Filip Tale është nga Librazhdi dhe nuk ka asnjë lidhje me Ilir Rexhep Metën.

A do të votojë ndryshimet që propozon sot PS lidhur me ligjin e dosjeve dhe Kodin Zgjedhor.

Sali Berisha: "Kam qenë jam dhe mbetem për lustracionin por ka qenë Rama që zgjodhi modelin gjerman. Pazar me dosjet nuk mund të bëhej kurrë sepse ka direktiva nga Strasburgu"

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta tha se eshte 100 % i pastër dhe akuzoi kryetaren e Autoriteti se po keqpërdoret. Lexo. 

Meta dhe Berisha u ndalën dhe tek organizimi i festës dhe ceremonia e 100 vjetorit të marrëdhënieve SHBA - Shqipëri.